Komenti i ditës: Komandant Remi kërkon konfiskim të pasurisë së krimit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe komandati i UÇK-së për zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi ka kërkuar që qeveria e re të vendos si “prioritet kombëtar” luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Ne mundemi! Në vendin tonë secila pasuri, duhet të dihet kujt i përket, si është fituar. E gjithë masa pasurore apo asetet e përvetësuara/uzurpuara në rrugë jolegale duhet t’i kthehen shtetit…”, ka shkruar ai në “Facebook”. “Duhet dhe ne mundemi një angazhim të suksesshëm të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si hapi i parë, vendimtar, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vendin tonë!”

Komandant Remi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Së fundmi, ai ishte emëruar këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ish – komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ai ka deklaruar një objekt banimi 500 mijë euro dhe një truall 9 mijë euro. E ka deklaruar edhe 10 hektarë tokë, të cilave nuk i ka caktuar vlerë, si dhe një veturë në vlerë 20 mijë euro.

Komandant Remi ka deklaruar një shumë të madhe të parave të gatshme. Në tri llogari bankare, Remi ka deklaruar se i ka 89 mijë e 450 euro para të gatshme.

Objektin që e ka në pronësi, Remi e ka të lëshuar me qira për Telekomin e Kosovës.

“Objekti-shtëpia e banimit e deklaruar, është e lëshuar me qira sipërfaqeje prej 1000 m², PTK-ës me kontratë”, ka deklaruar Remi.