Ligji për Byronë Shtetërore - Cilat do të jenë kompetencat dhe cila procedurë do të ndiqet për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme?
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata.
Subjekt verifikimi i pasurisë do të jenë të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë nëse ekzistojnë dyshime se ajo pasuri është fituar kundërligjshëm.
Ligji përfshin një shtrirje me të gjerë për shkak se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, pra personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Autoritet kompetent do të jetë Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Periudha kohore
Ligji në fjalë do të zbatohet ndaj pasurisë së pajustifikueshme të fituar gjatë periudhës së ushtrimit të funksionit të subjekteve nga data 17 shkurt 2008 dhe brenda 10 viteve nga momenti kur subjektet pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.
Kompetencat e Byrosë
Byroja si autoritet kompetent fillon dhe zhvillon procedurën e verifikimit të pasurisë, si dhe parashtron propozimin për konfiskim të pasurisë në Gjykatë.
Byroja përveç një varg kompetencash për hetimin e pasurisë i raporton Kuvendit një herë në vit për punën e saj.
Në krye të byrosë do të jetë drejtori i cili zgjidhet për një mandat 5-vjeçar dhe i njëjti nuk ushtron asnjë funksion tjetër që mund të paraqesë konflikt interesi me funksionin e tij.
Procedura për konfiskim të pasurisë
Procedurën për inicimin e konfiskimit të pasurisë, Byroja e fillon sipas informatave që i mbledh ex officio në bazë të kompetencave të saj, informatave të pranuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të huaja, personat fizikë apo juridikë që ushtrojnë autorizime publike, si dhe nga personat e tjerë fizikë dhe juridikë, vendorë dhe të huaj.
Për fillimin e procedurës Byroja nxjerr vendim të arsyetuar.
Me rastin e verifikimit analizohet dokumentacioni, informacionet relevante për rastin, kërkohen informacione nga palët në procedurë, madje mund të ftohen palët edhe për të dhënë dëshminë e tyre.
Në rast shpërputhje në mes të të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25 mijë euro, atëherë zyrtari i Byrosë propozon dërgimin e çështjes në Gjykatë për konfiskim.
Ky propozim i arsyetuar për dërgimin e çështjes në Gjykatë, i dorëzohet Drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas parashtron propozim për konfiskim.
Ligji ka paraparë që nëse pala në procedurë nuk i përgjigjet ftesës së Byrosë dhe vlera e pasurisë është më e lartë se 25 mijë euro, atëherë supozohet se pasuria e listuar është fituar në mënyrë të pajustifikueshme.
Në këtë rast zyrtari i Byrosë propozon dërgimin e çështjes në Gjykatë për konfiskim. Propozimi i arsyetuar për dërgimin e çështjes në Gjykatë për konfiskim, i dorëzohet Drejtorit të Përgjithshëm.
Propozimit duhet t’i bashkëngjiten të gjitha provat që Byroja ka shqyrtuar për pasurinë që i nënshtrohet propozimit për konfiskim.
Gjatë zhvillimit në procedurës, Byroja mund të kërkojë nga gjykata që të vendoset masa e sigurisë mbi pasurinë që është objekt i çështjes.
Procedura që zhvillohet në gjykatë
Parimisht seanca e shqyrtimit të propozimit për konfiskim është publike.
Në këtë seancë bëhet administrimi i provave dhe dëgjimi i palëve.
Byroja ka të drejtë që deri në përfundimin e seancës për shqyrtim të tërhiqet nga propozimi për konfiskimin e pasurisë.
Përfundimi i shqyrtimit në gjykatë dhe nxjerrja e vendimit
Nëse Gjykata vlerëson se propozimi për konfiskimin e pasurisë është i bazuar dhe se pasuria është e pajustifikueshme, ajo me aktgjykim konstaton se pasuria nuk justifikohet dhe urdhëron konfiskimin e saj.
Po ashtu mund të nxirret aktgjykim për konfiskim të pjesërishëm.
Ndërsa në rastet kur gjykata vlerëson se propozimi për konfiskimin e pasurisë është i pabazuar, ajo me aktgjykim refuzon propozimin për konfiskim dhe konstaton se pasuria është e justifikueshme.
Si ndaj vendimeve të tjera të gjykatës edhe në këto raste lejohet ankesa e palëve në shkallën e dytë.
Aktgjykimin për konfiskimin e pasurisë e ekzekuton gjykata që ka vendosur lidhur me propozimin për konfiskim.