Andrey Medvedev, Foto: Gulagu/BBC

Komandanti rus i grupit 'Wagner' kërkon azil në Norvegji

Një ish-komandant i grupit paraushtarak rus ‘Wagner’ ka kërkuar azil në Norvegji pasi dezertoi nga ky grup mercenar.

Andrey Medvedev, 26 vjeç, kaloi kufirin për në Norvegji të premten e kaluar, ku u ndalua nga rojet kufitare.

Ai aktualisht po mbahet në zonën e Oslos ku përballet me akuzat për hyrje të paligjshme në Norvegji, tha avokati i tij Brynjulf Risnes për BBC.

Risnes tha se klienti i tij u largua nga Wagner pasi ishte dëshmitar i krimeve të luftës në Ukrainë.

Roja Kufitare Norvegjeze konfirmoi për BBC se një burrë rus ishte arrestuar pasi kaloi kufirin por tha se nuk mund të komentonte më tej për “arsye sigurie dhe privatësie”.

Tarjei Sirma-Tellefsen, shefi i shtabit të Policisë në rajonin norvegjez të Finnmark, tha se një burrë ishte arrestuar nga një patrullë kufitare dhe tha se kishte aplikuar për azil.

Por grupi rus i të drejtave të njeriut Gulagu, i cili e ndihmoi Medvedev të largohej nga Rusia, konfirmoi identitetin e tij. Arratisja e tij besohet të jetë rasti i parë i njohur i një prej ushtarëve të grupit që dezertoi në Perëndim.

Themeluesi i Gulagu, Vladimir Osechkin i tha BBC-së se Medvedev i ishte bashkuar grupit paraushtarak në korrik 2022 me një kontratë katër-mujore, por kishte dezertuar pasi kishte parë një sërë abuzimesh të të drejtave të njeriut dhe krime lufte derisa shërbente në Ukrainë.

Ai tha se Medvedev është  ish-ushtar në ushtrinë ruse dhe se më vonë kreu dënimin me burg midis 2017 dhe 2018 përpara se t’i bashkohej Grupit Wagner.

Ai u vendos në krye të një divizioni Wagner në Ukrainë, ku grupi mercenar e furnizonte atë me rreth 30-40 trupa çdo javë, tha zoti Osechkin.

Në një video të postuar nga Gulagu në media sociale, Medvedev tha se  u largua nga Ukraina në nëntor pasi u informua se grupi synonte të vazhdonte kontratën e tij për një kohë të pacaktuar.

Pasi kaloi dy muaj nën tokë në Rusi, ai kaloi kufirin për në Norvegji javën e kaluar.

Risnes tha se klienti i tij kishte parë gjithashtu një mori krimesh lufte gjatë luftimeve në Ukrainë, duke përfshirë “ekzekutim të dezertuesëve” nga shërbimi i sigurisë së brendshme të Grupit Wagner.

“Me pak fjalë, ai u ndje i tradhtuar dhe donte të largohej sa më shpejt të ishte e mundur,” tha zoti Risnes.

Ai shtoi se beson që Medvedev kishte marrë disa prova të krimeve të luftës me vete në Norvegji dhe se synon të ndajë informacionin e tij me grupet që hetojnë krimet e luftës në javët e ardhshme.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar besojnë se Grupi Wagner përbën rreth 10% të forcave ruse në Ukrainë dhe se luajtën rol të rëndësishëm në ndihmën e forcave të Moskës për të marrë qytetin Soledar në rajonin lindor të Donbasit javën e kaluar.

Mijëra trupa të saj janë rekrutuar nga burgjet ruse. Zoti Prigozhin – një ish-i dënuar vetë – u ka premtuar rekrutëve liri në këmbim të shërbimit gjashtë mujor në Ukrainë.