Kina simulon goditjen e “objektivave kyçë” në Tajvan

Kina ka simuluar goditjen precize ndaj objektivave kyçë në Tajvan dhe në ujërat përreth në ditën e dytë të stërvitjeve ushtarake.

Stërvitjet – që Pekini i ka quajtur “paralajmërim të ashpër” për ishullin vetëqeverisës – po mbahen në përgjigje të vizitës së presidentes së Tajvanit në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.

Përderisa ushtria kineze po simulon rrethimin e ishullit, SHBA-ja i ka bërë thirrje Kinës që të tregojë përmbajtje.

Tajvani tha se të paktën 71 avionë kinezë kanë fluturuar përreth ishullit të shtunën.

Tajvani po ashtu tha se 45 avionë luftarakë ose kanë kaluar vijën e mesme të Ngushticës së Tajvanit – që jozyrtarisht ndan territorin tajvanez dhe atë kinez – ose kanë fluturuar në pjesën jugperëndimore të zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Nëntë anije kineze po ashtu janë parë në ujërat pranë Tajvanit. Operacioni, i quajtur nga Pekini “Shpata e përbashkët” do të vazhdojë deri të hënën. Zyrtarët tajvanezë kanë shprehur zemërimin e tyre me këtë stërvitje ushtarake.

Të shtunën, zyrtarët e mbrojtjes në Tajpei kanë akuzuar Pekinin se po përdorë vizitën e presidentes Tsai Ing-wen në SHBA “si justifikim për të kryer stërvitje ushtarake, që seriozisht kanë minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.

Në ditën e parë të stërvitjeve, një nga anijet kineze qëlloi teksa po lundronte afër ishullit Pingtag, që paraqet pikën më të afërt të Kinës me Tajvanin.

Këshilli i Çështjeve të Oqeanit të Tajvanit, që drejton Rojet Bregdetare, publikoi video që shfaqnin një nga anijet tajvaneze duke u ndjekur nga një luftanije kineze. Megjithatë, ky këshill nuk tregoi se në cilin vend u incizua kjo video.

Por, në këto pamje mund të dëgjohet një marinar duke i thënë anijes kineze përmes radios: “Seriozisht jeni duke e dëmtuar paqen rajonale, stabilitetin dhe sigurinë. Ju lutem që menjëherë të ktheheni mbrapsht dhe të largoheni. Nëse vazhdoni të veproni kështu ne do të ndërmarrim masa”.

Përderisa dita e parë e stërvitjeve u mbyll në mbrëmjen e së shtunës, zyrtarët e mbrojtjes në Tajpej thanë se ato nisën mëngjesin e së dielës me fluturimin e avionëve luftarakë./REL