KFOR-i amerikan viziton komunën e Vitisë

Në komunën e Vitisë deri më tani janë konfirmuar 7 raste të të prekurve nga virusi corona.

Kryetari i kësaj komune Sokol Haliti sot ka pritur për vizitë KFOR-in amerikanë, të cilët u interesuan për të parë nga afër gjendjen në këtë komunë, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Ai i ka njoftuar eprorët e KFOR-it amerikanë për punën dhe aktivitetet që komuna po i ndërmerr në bashkëpunim me mekanizmat tjerë relevant për t’u përballuar sa më lehtë coronavirusin.

“Jemi organizuar në nivel komunal dhe po përpiqemi të menaxhojmë situatën me kapacitete vetanake. Niveli qendrorë ka bërë shumë pak. Kemi nevojë të vazhdueshme për pajisje mbrojtëse, mjekësore dhe të dezinfektim”, tha Halili.

Ndërsa, në anën tjetër KFOR-i, e përgëzoi kryetarin për punën që po bëhet këto ditë në parandalimin e përhapjes së virusit.

“E kemi parasysh që keni vështirësi për pajisje dhe furnizim. Po e shohim që po bëni një punë të shkëlqyeshme. As në ShBA nuk po bëhet diçka më shumë sa që po bëni ju këtu. Ardhja dhe takimet tona do të vazhdojnë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se është aktivizuar një kompani private për të prodhuar maska dhe rroba mbajtëse për personelin shëndetësorë.

Gjithashtu, në koordinim me ”Kryqin e Kuq”, shoqatën “Nënë Tereza”, si dhe shoqatën nga diaspora “Stublla” janë furnizuar 800 familje në nevojë me gjëra ushqimore dhe higjienike, thuhet në njoftim.

Deri më tani në Kosovë janë 71 persona të infektuar nga COVID- 19, vetëm një person i vdekur, ndërsa gjendja e tjerëve sipas Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë është stabile.