Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Foto: KQZ

Këto janë arsyet e Gjykatës Supreme kundër pranimit të votave nga Serbia

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, i përbërë nga gjyqtarët Erdogan Haxhibeqiri, kryetar, Isa Kelmendi dhe Shukri Sylejmani, anëtarë, sot ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tre kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, Arta Baraliu dhe Enver Haliti, ndaj vendimit të PZAP-së.

Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi Komisionin Qendror Zgjedhor që mos t’i përfshijë në rezultatet përfundimtare të datës 7 nëntor.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, janë dhënë edhe arsyet e refuzimit.

“Gjykata ka vlerësuar se janë të pabazuara pretendimet e parashtruesve te ankesës të paraqitura në ankesë ndaj vendimit të kontestuar të PZAP, ngase janë në kundërshtim me gjendjen faktike të vërtetuar nga ana e PZAP, si dhe me provat të cilat janë në shkresat e lëndës. Parashtruesit e ankësës me asnjë provë nuk mbështesin faktet e paraqitura në ankesë dhe se provat e paraqitura nuk janë më ndikim në vendosjen ndryshe me këtë çështje juridike”,

“Së këndejmi rezulton konkuldimi juridik se neni 97 paragrafi 1 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës dhe neni 4 par.3 i rregullores Zgjedhore nr.03/2013, përcakton se për të trajtuar të vlefshme një fletëvotim nga jashtë duhet të plotësohen disa kushte: “plotësimi i formularit me të dhënat e kërkuara pas shkarkimit të të njëjtit, dërgimi i të njëjtit me të dhënat e dërguara në adresën postare”fahut postal” të shpallur publikisht nga KQZ-ja. Në rastin konkret është kontestuese mënyra e dërgimit të fletëvotimeve. Pakot e fletëvotimeve nga Serbia janë dorëzuar fizikisht drejtpërdrejtë në “fahun postal” nga personat e caktuar, pa postë dërguese por vetëm me postë pranuese dhe pa pullë postare dhe si të tilla këto fletëvotime nuk mund të kategorizohen si fletëvotime nga jashtë Kosovës dhe si të tilla në bazë të rregullores zgjedhore 03/2013 të KQZ-së konsideron si të pavlefshme”.

“Njëherit vlen të theksohet se fakti që këto fletëvotime janë grumbulluar në një vend të caktuar dhe janë sjellur nga dy persona e bënë më të pa besueshëm  procesin e votimit me postë, pra nuk kemi votim përmes postës por dorëzim fizik në postë. Në rregulloren zgjedhor nr. 3/2013 në nenin 4 paragrafi 2. Është përcaktuar se “Pas plotësimit të fletëvotimeve votuesi duhet të vendos fletëvotimin në një zarf të pashënuar e të mbyllur, të vendosur brenda zarfit të jashtëm për dërgim”. Në zarfin e dërgimit votuesi gjithashtu vendos një fotokopje të dokumentit të tij/saj të vlefshëm, të identifikimit dhe një shënim që përmban të dhënat personale të tij apo saj, që përmban së paku emrin mbiemrin, emrin e babait dhe datën e lindjes së tij/saj”.

“Ndërsa në nenin 4 par.4 të së njëjtës rregull zgjedhore përcaktohet se “pas plotësimit të fletëvotimit për votim jashtë Kosovës, votuesi duhet ta dërgojë atë me postë në njërën nga kutitë postare që ngrihen dhe shpallen publikisht nga KQZ-ja, deri në datën që përcaktohet nga KQZ-ja”. Në rastin konkret mënyra e dërgimit të2 fletëvotimeve jashtë Kosovës, është në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga KQZ-ja dhe me nenin 97 paragrafi 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës”.