Këshilli i shkarkuar i Muzeut: Ministri i PDK-së tentoi t'i punësojë njerëzit e tij

Këshilli Drejtues i Muzeut Kombëtar të Kosovës, e ka quajtur të jashtëligjshëm vendimin e ministrit të Kulturës për shkarkimin e tij dhe anulimin e konkursit për drejtor të Muzeut.

Në një reagim, Këshilli po e akuzon ministrin e PDK-së, Kujtim Gashin dhe këshilltarin e tij, Samir Hoxha për ndërhyrje në procesin e zgjedhjes së drejtorit të muzeut.

“Këshilli Drejtues, shpreh keqardhje për ndërhyrjen politike të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi, si dhe këshilltarit të tij, z. Samir Hoxha në punën e KD-së, me qëllim që kandidati i preferuar i tyre, z. Sedat Sahitaj, kundërligjshëm të emërohet Drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës”, thuhet në komunikatën e KD-së.

Këshilli thotë se kandidati i preferuar i ministrit është vendas me këshilltarin e tij.

“Këshilltari i Ministrit, Z. Samir Hoxha, e ka vendas kandidatin, Z. Sedat Sahitaj, prandaj shantazhi, ndërhyrja dhe insistimi i ministrit dhe këshilltarit të tij, që i preferuari i tyre të zgjidhet Drejtor kundërligjshëm, përpos që konsiderohet nepotizëm, lë të kuptohet se kemi të bëjmë, në një formë, edhe me korrupsion. Prandaj, nepotizmi dhe korrupsioni, në këtë rast, si emërues të përbashkët kanë, ministrin dhe këshilltarin e tij”, thuhet në reagimin e Këshillit Drejtues të Muzeut.

Për më tepër, sipas reagimit të Këshillit të Muzeut, vendimi i ministrit për shkarkim është i jashtëligjshëm, për shkak të dorëheqjes së Qeverisë.

“Këshilli Drejtues, konsideron se në mungesës të kompetencave ekzekutive që janë prodhuar si pasojë e dorëheqjes së qeverisë, vendimi i ministrit është i kundërligjshëm dhe jovalid deri në një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në reagimin e Këshillit Drejtues të MKK-së.

Tutje Këshilli ka sqaruar se kandidati për të cilin kanë bërë presion ministri me këshilltarin e tij ishte diskualifikuar në mungesë të dëshmive të mjaftueshme për përvojën e punës, por më vonë ishte rikthyer në garë pas ankesës.

“Me ndërhyrjen e tyre në Komisionin për Zgjidhen e Kontesteve dhe Ankesave pran MKRS-së, i njëjti është futur në listën e ngushtë më vendim të KZAK-së edhe pse ata kërkonin vazhdimisht nga KD të futet kundërligjshëm në listën e ngushtë”, thuhet në reagimin e Këshillit Drejtues të Muzeut.

Këshilli Drejtues thotë se ministri Gashi dhe Hoxha janë fajtorët kryesor që Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e një vit është me ushtrues detyre.

Një ditë më parë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e ka shkarkuar Këshillin Drejtues të Muzeut Kombëtar dhe anuluar gjithë procesin për zgjedhjen e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.