Këshilli i prindërve drejtuar SBASHK-ut: Pas 5 javësh, pyeteni veten se a ja ka vlejtur greva

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që të pezullohet greva në arsim deri në janar të vitit të ardhshëm.

Në reagimin e tyre thuhet se pas pesë javësh greve, drejtuesit dhe anëtarët e sindikatës duhet ta pyesin veten dhe njëri-tjetrin se a mund të ndjehen krenarë.

“E sot, pas pesë javësh greve, drejtuesit e SBASHK-ut, por edhe anëtarët e sindikatës, e kanë për përgjegjësi, së paku njerëzore, ta pyesin vetën e njëri-tjetrin: a ia ka vlejtur dhe a mund të ndjehen krenarë me grevën?”, thuhet në reagimin e tyre.

Në reagimin e tyre thuhet se Këshilli i prindërve më 31 gusht kanë pasur takim më SBASHK-un dhe kanë pasur dy kërkesa që nuk janë respektuar.

Reagimi i plotë i Këshillit të prindërve të Kosovës:

PASREFLEKTIM

Më 31 gusht përfaqësues të Këshillit të Prindërve të Kosovës kishim zhvilluar takim me drejtuesit e SBASHK-ut. Dy kërkesa i kishim: 1) Festa e 1 Shtatorit mos t’iu prishët nxënësve sepse për klasën e parë (sidomos) është kujtim jetësor e domethënës për gjithë vitin shkollor, dhe 2) Që SBASHK-u mos të hyjë në grevë të plotë e të paafat, se kjo masë është shumë ekstreme dhe e padrejtë ndaj fëmijëve por e dëmshme edhe për vetë SBASHK-un.

Kërkesën e parë na e patën refuzuar pa iu dridhur qerpiku. Për të dytën na thanë “nuk kemi nevojë për këshilla se si bëhet veprimi sindikal – e dimë fort mirë këtë” (!)

E sot, pas pesë javësh greve, drejtuesit e SBASHK-ut, por edhe anëtarët e sindikatës, e kanë për përgjegjësi, së paku njerëzore, ta pyesin vetën e njëri-tjetrin: a ia ka vlejtur dhe a mund të ndjehen krenarë me grevën?

Pezullohet greva deri në janar 2023