Prapa grilave - Ilustrim

Kërkohet paraburgimi i katër të dyshuarve për sulm me mjete shpërthyese ndaj kompanisë “ITC”

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgimin e katër personave të dyshuar në lidhje me një sulm me mjete shpërthyese i cili ka ndodhur në vitin 2010.

Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Gjilan,ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarve A. A., SH. Z., B. K. dhe V. R., të cilët me aktvendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari A. A., më 25 Maj 2010, pas mesnate, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, i shtytur nga të dyshuarit B. K. dhe SH. Z. dhe i ndihmuar nga i dyshuari V. R., me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit lidhur me një kontest pronësor, ka vendosur dy granata dore dhe një bombolë gazi, në derën e zyrave të kompanisë “ITC”, me pronar  H. K.

Sipas prokurorisë, njëra nga granatat dhe bombola e gazit ka shpërthyer, duke shkaktuar rrezik për jetën e të dëmtuarit dhe qytetarëve në atë zonë, e poashtu edhe dëme materiale në vlerë të pa përcaktuar.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari A. A., më 7 Shtator 2010, pas mesnate, në të njëjtin vend dhe me të njëjtin qëllim, i shtytur dhe i ndihmuar nga të dyshuarit e lartcekur, ka vendosur granatë dore dhe bombolë plini, të cilat kanë shpërthyer, duke shkaktuar për të dëmtuarin ankth, pasiguri për jetë dhe dëme materiale.

Me këto veprime, i dyshuari A. A., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’’.

Ndërsa, të dyshuarit SH. Z., dhe B. K., me qëllim të përfitimit material, lidhur me një kontest pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të të dyshuarit A. A., e kanë shtytur të njëjtin që të ndërmerrte veprimet e lartcekura.

Me këto veprime të dyshuarit SH. Z. dhe B. K., dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale ‘’Shtytja e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’’.

I dyshuari  V. R., me qëllim të përfitimit material, dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin A. A., që më 25 maj dhe 07 shtator 2010, të vendosë granata dore dhe bombola, në derën e zyrave të kompanisë “ITC”.

I njëjti dyshohet se ka kryer verën penale ‘’Ndihma në kryerjen  e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’’.

KALLXO.com mëngjesin e sotëm ka raportuar për arrestimin e katër të dyshuarve.

Katër të arrestuar për sulm ndaj një kompanie private në vitin 2010