Kërkohen propozime nga deputetët për mbajtjen e seancave plenare nga distanca

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka rekomanduar që propozimi i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, për ndryshimin e rregullores së Kuvendit që seancat e Kuvendit të mbahen nga largësia sot të vendoset në rend dite.

“Nëse e shtyjmë për nesër, unë kam frikë që nuk do të jemi gjysma e deputetëve prezentë. Ndoshta nuk do të jemi nesër as 60 deputetë në seancë”, tha Gaxherri.

Rexhep Selimi nga LVV-ja tha se i kanë rezervat e tyre lidhur me motivet e kësaj nisme.

“Dua të jem i sigurt që kjo nuk është një nismë për t’u keqpërdorur. Ne duhet ta shtjerrim debatin për këtë. Ne si grup parlamentar kemi nevojë për konsulta dhe debat të shteruar. Nga ky moment ne nuk mund të japim mbështetje që kjo të futet në rend të ditës”, tha ai.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se ideja e saj që nga marsi me këtë propozim motiv ka pasur reduktimin e infektimeve.

Bedri Hamza nga PDK-ja tha se bazuar në situatën duhet modeluar një zgjidhje që i mundëson punën Kuvendin dhe të jetë funksional.

“Për çështje me rëndësi për vendin, ne si grup parlamentar e mbështesim mundësinë që të votohet edhe online”, tha ai.

Nga AAK-ja Daut Haradinaj deklaroi se votimi elektronik është mundësia e vetme.

“Do ta japim përkrahjen por do ta gjejmë formën më të lehtë se si do të procedohet”, tha ai.

Kryetarja Vjosa Osmani tha se duhet që bashkërisht të gjejnë një zgjidhje.

“Deri të mërkurën, kur e kemi mbledhjen e Kryesisë, ju lus të vini me propozime”, tha ajo.