Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KEK-u njofton se nesër rikthehet ngrohja qendrore në Prishtinë

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se nesër në mëngjes do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore në Prishtinë.

“Nesër në mëngjes, më 16.12.2021 , do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull per ngrohje qendrore”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.

Të njëjtit kanë thënë se ndalja e furnizimit me avull të Termokosit ka ndodhur si shkak i një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1.

Si pasojë e kësaj, KEK-u tha se janë detyruar që të ndalin njësinë e lartcekur në mesnatë.

“Ekipet e specializuara kanë filluar menjëherë përgatitjet për intervenim ne sanimin e gjendjes”, kanë thënë ata.

Ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë njoftoi më herët se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u kanë ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët.

Sipas tyre, të vetmit që janë duke u furnizuar me ngrohje janë pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore”, është thënë në njoftimin e tyre, duke kërkuar mirëkuptim nga konsumatorët.

Ky është njoftimi i plotë i KEK-ut:

Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se aktualisht në TC-Kosova A kemi një gjendje stabile, ku në punë janë të tri njësitë aktive (A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 MW/h. Ndërsa në Kosovën B, deri në mesnatë sot ishte në punë njësia B1. Sido që të jetë, për shkak të një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1, ishim të detyruar të ndalim edhe ketë në mesnatë. 

Ekipet e specializuara kanë filluar menjëherë përgatitjet për intervenim në sanimin e gjendjes. Sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim nesër në mëngjes, më 16.12.2021 , kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore.

Duke falënderuar palët e përfshira për mirëkuptim dhe bashkëpunim, KEK është duke bërë përpjekje maksimale për prodhim të qëndrueshëm me energji në kushtet aktuale të krizës sezonale dhe globale energjetike.