"Termokos" ndërprenë furnizimin me ngrohje në Prishtinë

Ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë ka njoftuar se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u kanë ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët.

Sipas tyre, të vetmit që janë duke u furnizuar me ngrohje janë pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore”, është thënë në njoftimin e tyre, duke kërkuar mirëkuptim nga konsumatorët.

“Kërkojmë mirëkuptim deri në përmirësimin e situatës dhe rikthimit të furnizimit me ngrohje”, është thënë në njoftim.