Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

KEK: Njësia A-5 është ndalur për qëllim inspektimi dhe riparimi, prodhimi është zëvendësuar

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është duke bërë remontet/revizionet e të gjitha njësive prodhuese sipas planit për përgatitjet e zakonshme për sezonin dimërorë.

Sipas KEK, njësia A-5 është ndalur me qëllim inspektimi dhe riparimi, derisa sot është bërë zëvendësimi i prodhimit të kësaj njësie.

“Njësia A-5 është ndalur për qëllim inspektimi dhe riparimi, pra kjo ndalje është bërë sipas planit për revizion konform planit të përditësuar të remonteve dhe revizioneve duke respektuar në tërësi obligimet kontraktuale ndaj furnizuesit publik. Për më tepër, sot kemi zëvendësuar prodhimin e kësaj njësie nga deponimet në KESH dhe KEK momentalisht është duke ofruar kapacitetin në dispozicion prej rreth 515 Mwh/h”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se sasia e ofruar nga KEK për furnizuesin publik është e njëjta.

“Pra, sasia e ofruar nga KEK për furnizuesin publik është po e njëjta që është ofruar edhe dje. Ndërkohë që janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme që njësia A3 të rikthehet në operim sipas planifikimit”, është bërë e ditur më tej nga KEK.

Lidhur me këtë, KEK ka kërkuar të ndalen spekulimet të cilat, sipas tyre, përveç që po dëmtojnë imazhin e KEK-ut, po krijojnë panik të panevojshme edhe tek qytetarët.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.