Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Katër raste të dhunës në familje raportohen në Polici

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.

Në Prishtinë janë regjistruar dy raste, një rast në Gjilan dhe një në Prizren.

Një burrë në Prishtinë është arrestuar pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht një grua.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Prishtinë ka raportuar në Polici se një burrë e ka sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 07:00.

Policia ka njoftuar se viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Gjilan një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Nga i dyshuari në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një thikë dhe një shkop druri” – ka njoftuar Policia.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 09:25.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa në Prizren, Policia ka arrestuar një burrë që dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht një grua.

Policia ka njoftuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, thuhet në raportin e Policisë.