Kandidati për Guvernator akuzon organet drejtuese të BQK-së pas refuzimit të aplikimit

Emanuel Bajra ka thënë se organet drejtuese të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ia kanë bërë të padrejtë kur vendosën ta refuzonin aplikimin e tij për Guvernator të BQK-së.

Në një reagim publik në Youtube, Bajra tha se arsyetimi i komisionit vlerësues nuk është i bazuar ndërsa ka akuzuar organet drejtuese se këtë e kanë bërë me qëllim.

“Organet drejtuese, paneli përzgjedhës brenda BQK-së ka marrë vendim që aplikimin tim për pozitën e Guvernatorit të BQK-së ta refuzoj pa bazë, pa asnjë arsye të bindshme dhe të bazuar në këmbë të dobëta ligjore dhe juridike” – tha Bajra.

Banka Qendrore e Kosovës hapi konkurs publik më 18 nëntor 2022 ndërsa për pozitën e të parit të këtij institucioni aplikuan 17 kandidatë.

Në reagim e tij, Emanuel Bajra ka thënë se aplikimi i tij u refuzua pasi procedurat për nostrifikimin e diplomës universitare të studimeve themelore, ishin duke vazhduar. Ai tha se ka plotësuar të gjitha kriteret që parashihen me legjislacionin në fuqi.

“Organet drejtuese, paneli përzgjedhës brenda Bankës Qendrore të Kosovës ka marrë vendim që aplikimi im për pozitën e Guvernatorit të BQK-së të refuzohet sepse diploma ime e Univeristeit, ku unë e kam fituar me mund e djersë titullin bachelor në shkenca politike dhe sociologji nuk është nostrifikuar prandaj ata i referohen një akti të vjetër të MASHTI-t të vitit 2018” – deklaron ai.

“Unë e kam plotësuar këtë kriter dhe që diploma ime universitetit është konfirmuar nga MASHTI dhe që është pranuar si kualifikim i vërtetuar por procesi i nostrifikimit do të merrte një kohë të gjatë. Sot (më 24 janar) jam njoftuar se MASHTI është në proces të nostrifikimit të diplomës sime dhe mund të ndodh brenda orësh, që është rekord kohë për dikë nga jashtë që vjen me diplomë të huaj e që nostrifikon diplomën brenda disa jave” – thotë tutje ai.

“Ndërkohë, ata i referohen një Udhëzimi Administrativ të MASHTI-t të vitit 2018 ku citohen paragrafët 2, 3 dhe 5 e ku nuk merret hic parasysh dy nënshtetësia ime, britanike dhe kosovare” – vlerëson Emanuel Bajra.

KALLXO.com kërkoi një përgjigje edhe nga BQK për pretendimet e kandidatit Emanuel Bajra. Zyra për medie e BQK-së dërgoi përgjigjen e njëjtë që ky institucion ia dërgoi kandidatit Bajra.

“Në bazë të dokumentacionit të pranuar prej juve, Paneli ka konstatuar se nuk e keni paraqitur nostrifikimin/njohjen e diplomës tuaj të fituar jashtë vendit siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ të MASHTI-it. Dokumenti që ju keni paraqitur, është një dëshmi që keni aplikuar në organet përkatëse në MASHTI për njohje të diplomës, po nuk është dëshmi mbi nostrifikim/njohjen e diplomës tuaj të fituar në Angli” – thuhet në përgjigje e BQK-së.

“Prandaj, bazuar në atë çka u tha më lartë, ju nuk jeni përzgjedhur në listën e ngushtë për t’u ftuar në intervistë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore” – thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, Bajra e ka quajtur të qëllimshëm anulimin e aplikacionit të tij për të parin e BQK-së.

“Unë këtë e konsideroj si mjegullnajë të qëllimshme administrative për të penguar aplikimin dhe potencialisht suksesin tim si kandidat për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo është për të ardhur keq dhe unë mendoj që është një vendim i padrejtë, tendencioz e për qëllim ka diskualifikimin tim në proces të përzgjedhjes sepse shihet qartë që kandidimi im ishte i tepërt për ta” – tha ai.

Në fund, ai ka kërkuar nga organet e larta shtetrore që të trajtojnë rastin e tij dhe të anulojnë procesin për përzgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së.

Së fundmi, organizata jo-qeveritare “Lëvizja FOL” përmes një reagimi në Facebook ka njoftuar se zyrtarja e kësaj organizate nuk është lejuar të monitoroj intervistimi i kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

FOL thotë se nuk u lejua të monitoroj procesin e rekrutimit të guvernatorit pasi nuk pranuan ta nënshkruanin deklaratën e konfidencialitetit

www.kallxo.com