Foto: Qeveria e Gjermanisë/Facebook

Kancelari gjerman flet për vizitën në Kosovë dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka përfunduar vizitën e tij me disa prej liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Përmes një postimi në Facebook, Qeveria Federale e Gjermanisë ka njoftuar për përfundimin e vizitës duke thënë se Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Bullgaria kanë qenë pesë stacione që u vizituan nga kancelari Scholz.

Tutje është thënë se Scholz me kolegët e tij në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut ka folur për perspektivat e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

“Kam takuar shumë miq që shpresojnë se përpjekjet e tyre do të shpërblehen në fund. Kjo është arsyeja pse ne i mbështesim ata. BE-ja nuk duhet t’i zhgënjejë këto vende”, thuhet se ka thënë kancelari.

Scholz gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Kosovë.

Ai është takuar me Kryeministrin, Albin Kurti.

Pas takimit Kurti ka folur për procesin e Berlinit, procesin e dialogut me Serbinë, Ballkanin e Hapur e çështjen e liberalizimit të vizave.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kurti tha se në takim me kancelarin Scholz ka thekuar se Kosova është treguar palë kreative në  këtë proces.

“E vazhduam bisedën për libaralizimin e vizave, për dialog theksova që jemi treguar palë kreative, por Serbia po vazhdon të bllokoj ashtu si procesin e Berlinit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova në këtë proces po tregon përafrimin dhe orientimin e saj me politikat e BE-së duke ju përkushtuar tregut të përbashkët rajonal.

Ai ka thënë se inkurajon çdo vend në Ballkanin perëndimor që të nënshkruajnë marrëveshjen për njohje të letërnjoftimeve.

“Kancelarin e njoftova për rëndësinë që Kosova po tregon procesit të Berlinit. Ne nxisim dhe inkurajomë çdo vend në Ballkanin perëndimor që të angazhohet për tregun rajonal. Kosova ju bënë thirrje vendeve që të nënshkruajnë marrëveshjen për njohje të letërnjoftimeve. Ne besojmë që të gjithë do të përfitojmë duke hequr barrierat në tregti dhe lëvizje të lirë. Presim me padurim rivitalizimim e procesit të Berlinit nën udhëheqjen tuaj i nderuar kancelar”, ka thënë ai.

Kurti tutje ka thënë se në këtë takim kanë biseduar për libaralizimin e vizave për Kosovën.

“Unë ja shpreha kancelarit shqetësimet tona mbi sigurimin e energjisë, dhe i tregova që së bashku me partnerët të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz është historike për Kosovën në një moment vendimtar për rajonin dhe kontinentin evropian.

Ai ka kujtuar 23 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe ka thënë se Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në rindërtimin dhe ndihmën humanitare.