
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas. Foto: Parlamenti Europian
Kallas 'përjashtoi' Kosovën dhe Serbinë nga vizitat e saj në rajon: Po analizojmë gabimet në dialog
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas ka thënë se së bashku me emisarin e BE-së, Peter Sorensen po analizojnë se çfarë gabimesh janë bërë përgjatë procesit të dialogut Kosovë- Serbi.
Shefja e diplomacisë europiane, foli për raportet mes dy shteteve gjegjëse nga Podgorica.
Turin e saj të parë si shefe për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka zgjedhur mos ta realizojë në Prishtinë dhe Beograd. Ajo ka nisur vizitën në kryeqytetin e Malit të Zi, për të vazhduar më pas me Tiranën dhe Sarajevën, sipas agjendës së publikuar nga blloku europian.
“Ajo çfarë po bëjmë ne është që bashkë me të emisarin [Peter Sorensen] po shohim se cilat janë gabimet [në procesin e Dialogut Kosovë-Serbi]. Çfarë funksionon e çfarë jo që të ngjallim këtë proces të normalizimit”- ka thënë ajo për mediat në Podgoricë më 07.04.2025.
Më 08.04.2025, estonezja Kallas do të ketë takime me presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës janë kandidate për anëtarësim në BE.
Emisari i BE-së, Peter Sorensen, i cili mori mandatin në shkurt 2025, rastisi të jetë në Kosovë pikërisht në kohën e përvjetorit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit i Ohrit. Ai takoi kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe krerët e partive opozitare.
Pas takimeve, i deleguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi u tregua fjalëpak. Nuk mbajti konferencë për media për të shpalosur se çka diskutuan, mirëpo përmes një deklarimi të shkurtër për media e quajti “një fillim të mirë”, duke treguar se bisedën e patën rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara.
“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”- tha ai në një deklarim për media.
Qeveria e Kosovës pret që me emisarin të ri të BE-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ky proces të kthehet në binarët e duhur e të fokusohet në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe të rritet llogaridhënia “ndaj palës bllokuese teksa e kemi tashmë një marrëveshje, atë Bazike, dhe Aneksin Implementues të Ohrit”.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, ka thënë për KALLXO.com, se në njërën anë këto marrëveshje duhet të gjejnë zbatueshmëri në tërësinë e tyre, duke siguruar brenda procesit edhe barazinë e palëve, qasje të drejtë dhe të paanshme edhe nga ndërmjetësuesi. Kurse, në anën tjetër, duhet të punojnë në marrëveshjen finale që ka në qendër njohjen të ndërsjellë dhe ligjërisht të pranueshme.
“Dy vite nga ajo që do të duhej të ishte arritja dhe formalizimi i Marrëveshjes Bazike e Aneksit Implementues të Ohrit, Serbia vazhdon t’i ikë nënshkrimit e pranimit të tyre, si dhe të shfaqë mungesë të theksuar të gatishmërisë dhe vullnetit për të punuar në finalizimin e planit të sekuencimit”- tha Kryeziu për KALLXO.com më 18.03.2025.
Më 18.03.2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian u pajtuan që të zbatojnë aneksin e Marrëveshjes bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023. Megjithatë, marrëveshja nuk është zbatuar.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.