Huqja e Kadri Veselit, i jep Abelard Tahirit atribute të “Supermenit” në luftën e korrupsionit

Në një postim të tij të kryer gjatë ditës Kryetari i Kuvendit ka marrë meritat e prokurorisë së shtetit dhe gjykatave në konfiskimin e pasurisë së fituar nga krimi dhe këto atribute ia ka dhënë ministrit të drejtësisë Abelard Tahiri.

Sipas ligjit penal Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë në konfiskim dhe sekuestrim të pasurisë pasi kjo kryhet me kërkesën e prokurorisë dhe miratimin e gjykatës.

Përkundër kësaj Veseli e ka marrë punën e dhjetëra gjykatësve e prokurorëve dhe atë ia ka veshur Tahirit. “Abelard Tahirit, si politikan i ri premtues, i kam dhënë mundësinë ta dëshmojë veten si Ministër i Drejtësisë gjatë këtyre dy vjetëve. Me punë të pandalshme, pasuria e sekuestruar nga kriminelët dhe keqpërdoruesit e taksave ka arritur në afër 40 milionë euro” ka shkruar Veseli.

Veseli ua ka gjetur edhe vendin fondeve të sekuestruara.

“Këto miliona do të investohen në krijimin e vendeve të reja të punës, në krijimin e mundësive për të rinj, që të mund të qëndrojnë këtu dhe së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për shtetin. Në vend të veturave luksoze të pasanikëve të korruptuar, do të kemi investime cilësore për të rinjtë” ka shkruar Veseli.

Ministri të  promovuar të drejtësisë Veseli nuk ja ka përmendur akuzat për testin e noterisë pro e ka promovuar atë si shembull të luftës kundër korrupsionit.

“Ky është një shembull i luftës kundër korrupsionit dhe një prej mënyrave më të mira për ta vazhduar luftën është promovimi i njerëzve të rinj dhe kompetent si Abelard Tahiri” ka shkruar Veseli.