Foto ilustrim: Unsplash.com/Matt Chesin

Mediat në gjuhën serbe në Kosovë nën shënjestër të sulmeve anonime online

Disa ditë pasi videot që shënjestronin mediat kritike ndaj qeverisë serbe u postuan në mediat sociale, një tjetër fushatë anonime online  filloi kundër mediave në gjuhën serbe që operojnë në Kosovë.

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve Serbë, NUNS, të mërkurën dënoi një fushatë në internet që shënjestroi mediat në gjuhën serbe që veprojnë në Kosovë.

Videot anonime të postuara në një kanal Telegram synonin faqet e lajmeve KosSev dhe Kosovo Online, radiostacionet Kontakt Plus dhe Kosovska Mitrovica dhe stacionin televiziv TV Most, duke pretenduar se janë pro NATO-s, një fyerje e synuar.

Në video-postimet thuhej se mediat “duke folur vazhdimisht se sa janë objektive dhe “të sinqerta” , po pretendonin se “ata kanë transmetuar reklama të NATO-s dhe KFOR-it ( forca e NATO-s në Kosovë) për vite me radhë”.

Postimet pretendonin se qëllimi i mediave ishte “të shpërbleheshin financiarisht për “punën e tyre të palodhur.”

KosSev u cilësua si një medie që “mbron terroristët Shiptar [term nënçmues për shqiptarët]” dhe “punon për qeverinë në Prishtinë dhe për NATO-n”.

“NUNS thekson se ky nuk është rasti i parë i shënjestrimit dhe kërcënimit serioz të gazetarëve nga faqja e internetit KosSev dhe u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse që të hetojnë të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje dhe kërcënimet që kërcënojnë sigurinë e të gjithë gazetarëve në Kosovë”, tha NUNS në një deklaratë për shtyp.

Një seri e veçantë videosh anonime u postua në rrjetet sociale në fund të korrikut, duke synuar gazetarë nga N1, Nova dhe Dana, media që shihen si kritike  ndaj qeverisë serbe.

Në një video thuhej se “qëllimi i  tyre i keq është shkatërrimi i identitetit, kulturës, traditës dhe fesë serbe”.

Kryetarja e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever, u bëri thirrje të martën autoriteteve serbe që të dënojnë publikisht sulmet ndaj gazetarëve.

“Më duhet të pranoj se kur i pashë këto video, u trondita. Nuk mund ta kuptoj se si dikush mund të bëjë diçka të tillë”, tha Sever për Nova TV.

Raporti vjetor i Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në botë për vitin 2022, i publikuar të hënën, tha se në Serbi, “rastet e kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve mbeten ende një shqetësim dhe mjedisi i përgjithshëm për ushtrimin  e lirisë së shprehjes pa pengesa, duhet të forcohet më tej në praktikë”.

Përgatiti: Veronë Zymberi