Photo: Antigonë Isufi/BIRN

Fushata 'Kundër 860'

Pas vendosjes së barrikadave në Veri, në Kosovë po zhvillohet një fushatë e hovshme për bojkotimin e prodhimeve serbe. Qytetarë, afaristë e ekspertë të ekonomisë mendojnë që duke bojkotuar barkodin 860 do ndalojnë fuqizimin ekonomik të Serbisë.

Qytetarët po ndalojnë para rafteve të marketeve të shohin me vëmendje flamurin sipër produktit dhe vendin e origjinës së gjërave ushqimore që po blenë në mënyrë që të shmangin barkodin e Serbisë, 860.

Situata në Veri të Kosovës gjatë fundit të vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti ka përforcuar fushatën për bojkotimin e produkteve serbe. Thirrjet për bojkot të produkteve serbe përmes rrjeteve sociale pas 15 muajsh fushatë, gjatë tri javëve të fundit kanë marrë hov më të madh.

Qytetarët, bizneset e vogla dhe ato vendore po bojkotojnë produktet serbe dhe po i bëjnë thirrje marketeve të mëdha që të largojnë nga tregu produktet e armikut të Kosovës.

“Kqyre mirë a është e Serbisë a jo?”, “Mos e merr Coca-Colë se mundesh edhe pa ta,” “Kqyrja mirë vendin se po na mashtrojnë”, “Ka keksa tjerë përpos tyne, mos i merr,” janë vetëm disa nga fjalitë që po dëgjohen gjatë dy javëve rresht në marketet e Kosovës.

“Besa-Besë”

Anëtarë të ndryshëm të grupit “Mos bli produkte serbe” zakonisht publikojnë fotografi të masakrave gjatë luftës së fundit në Kosovë, dëmeve nga lufta, thirrjeve “Besa- Besë” për bojkot të produkteve nga Serbia dhe shembuj të bizneseve që po heqin produktet nga tregu.

Mbi 100 thirrje për bojkot i pranon brenda ditës vetëm nëse një person bëhet pjesë e e këtij grupi në Facebook që numëron mbi 100 mijë anëtarë.

Themeluesi i këtij grupi, biznesmeni kosovar Burim Piraj thotë që pas ngjarjeve të fundit në Veri kur janë vendosur barrikadat e dirigjuara nga Beogradi ka një vetëdijesim shumë të madh dhe shtrirje të fushatës në Kosovë dhe jashtë saj, po jo vetëm qytetarët po dhe shumë biznese po i largojnë prodhimet serbe nga shitoret e tyre.

Përveç thirrjeve virtuale, nëpër rrugët, muret e objekteve dhe marketet në qytetet e Kosovës janë vendosur fletushka të vogla për të bojkotuar barkodin 860.

Në një intervistë për BIRN, Piraj tha që deri më tani kanë informacione që një qendër tregtare në Ferizaj, një shitore në Gjilan, dy shitore në Prishtinë, dy shitore në Drenas dhe një restorant në Junik i kanë larguar prodhimet serbe.

Sipas Pirajt, prodhimet serbe janë prodhime shumë të parëndësishme për të pasur përditshmëri të rehatshme dhe ndërgjegje të pastër, “bënë edhe pa ato, prandaj forma më e lehtë është thjesht mos me ble.”

“Është detyrë patriotike dhe morale të punojmë për mirëqenien dhe sigurinë e vendit tonë, forma më e thjeshtë dhe më e lehtë që kjo të bëhet realitet është mos fuqizimi ekonomik i Serbisë, sepse ajo vazhdimisht po blen armatim dhe po na kërcënon paqen dhe sigurinë tonë,” – tha ai.

Në dyqanin Top Market raftet e frigoriferit ishin mbushur me një sasi të vogël Coca-Cola të shishe nga Shqipëria.

Photo: Antigonë Isufi/BIRN

Nga 1 janari 2023, ky dyqan nuk ka asnjë produkt serb në dy lokacionet e tyre në Prishtinë.

Edhe pse prej 10 vitesh nuk kanë asnjë produkt serb në dyqanet e tyre, pas fushatës në Facebook nuk kanë asnjë produkt që mbushet në Serbi.

Pronarja e dyqanit, Bastrie Rrahmani, tha se meqenëse i kanë bojkotuar të gjitha produktet me barkodin 860, ajo po merr një rritje të plotë.

Ata po zëvendësojnë produktet me produkte tjera. pasi sipas tyre ka mjaft prodhime nga vende të tjera apo vendore.

“Ne nuk kishim as produkte serbe, por tani, si këto të famshmet si Coca-Cola, po i marrim nga Shqipëria. Nuk ka kuptim që ta fuqizojmë Serbinë që t’i blejë armë kundër nesh” – tha ajo për BIRN.

Ekonomia e Kosovës karshi bojkotit të produkteve serbe

Tre agjentë në ekonomi që mund të ndikojnë në zvogëlimin e konsumit të mallrave nga Serbia sipas ekonomistit Edison Jakurti janë – Qeveria përmes barrierave jo-tarifore ose tarifore; tregtarët përmes ndërprerjes së importit dhe shitjes së mallrave që vijnë nga Serbia; dhe, qytetarët përmes bojkotimit të mallrave nëse dy masat e para nuk ndërmerren.

“Përderisa Qeveria nuk i përdorë mekanizmat e saj, dhe kërkesa nga qytetarët për mallrat e Serbisë nuk bie, tregtarët do të vazhdojnë të importojnë sepse e dinë se ka shitje. Kemi shumë pak shembuj të shkëlqyeshëm të tregtarëve që nuk shesin asnjë mall nga Serbia,” – tha ai për BIRN.

E kundërta ndodhë nëse qytetarët i bojkotojnë mallrat e importuara nga Serbia sepse edhe tregtarët do të detyrohen ta ulin importin meqë e dinë se nuk do të ketë shitje të tyre, sipas Jakurtit.

Ekonomisti bojkotimin e produkteve serbe e sheh si akt politik dhe si përgjigje ndaj agresionit të vazhdueshëm që bën Serbia karshi Kosovës.

Photo: Antigonë Isufi/BIRN

Sipas tij, nëse mallrat e importuara nga Serbia zëvendësohen nga prodhimet vendore, atëherë ulja e deficitit tregtar të Kosovës me Serbinë është efekti afatshkurtër.

“Nëse konsumohen më shumë prodhime vendore, në një periudhë më afatgjatë, mund të rriten bizneset vendore, me ç’rast e rrisin edhe punësimin edhe kapacitetin e tyre për të kontribuar në buxhetin publik përmes tatimeve,” – thotë ai.

Edhe pse është herët për të vlerësuar se sa do të ndikojë ky bojkot në ekonominë e Kosovës, Jakurti thotë që duhen matje, por patjetër se ndikon pozitivisht nëse prodhimet vendore konsumohen në vend të mallrave të importuara nga Serbia.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë janar- nëntor 2022, Kosova ka paguar 341.637.000 euro për mallrat nga Serbia, ndërsa mallrat nga Kosova janë importuar në Serbi në vlerë prej rreth 59.030.000 euro.

Një vlerësim i ekonomistit thotë që në rast se mallrat e importuara nga Serbia nuk zëvendësohen me prodhime vendore por me mallra që importohen nga vendet tjera, pastaj mund të ketë efekt negativ ekonomik në Serbi, por jo ndonjë efekt pozitv ekonomik në Kosovë meqë nuk do të zvogëlohej deficiti i përgjithshëm tregtar në mallra.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve thotë që sa do që kampanjat mundohen të bindin qytetarët që të bojkotojnë produktet, zgjidhja më e mirë për bojkotin e produkteve serbe mbetet vendosja e taksës 100 përqind siç ka qenë.

Në vitin 2018, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë doganore prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Taksa më pas u pasua me reciprocitet.

Pas zgjedhjes së kryeministrit Albin Kurti, taksa 100 për qind u hoq. Pas tij, ish-kryeministri Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej mundësi vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo fushatë po bëhet më shumë në Facebook se në realitet. Unë kam pas takime me përfaqësuesit e bizneseve të mëdha, vërehet një ulje por nuk ka vërehet ndonjë ndryshim i madh,” thotë ai për BIRN.

Sipas tij, kjo kampanjë po bëhet për shkak të situatës në veri. Por që 20 vite bëhet kampanjë për blerjen e produkteve vendore.

“Nuk kemi nevojë për prodhimet e tyre”

Yllëza Murtezi, studente e vitit të parë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës nuk e ka përjetuar luftën nën lëkurën e saj, por 20-vjeçarja thotë që më e pakta që mund të bëjë si gjeneratë e pasluftë është që të nderoj të rënët për liri duke mos i blerë produktet.

“Arsyeja kryesore e bojkotimit të produkteve serbe është që mos ta pasurojmë me paratë tona një shtet të cilin e kemi pasur armik për shekuj me radhë, një shtet i cili nuk ka kursyer popullin tonë kur bëhej fjalë për masakra, vrasje e përdhunime,” – tha ajo për BIRN.

Disa nga arsyet pse qytetarët, bizneset e iniciatorët e fushatave dhe ekspertët e ekonomisë kanë vendosur të bojkotojnë produktet serbe janë sepse sipas tyre “ne po i blejmë produktet e tyre, po u fuqizojmë ekonomikisht ata kundër neve”, “serbët na kanë masakru, na duhet ma mos me ble produkte te tyre”, “Na blej produkte të tyre, ata vendos barrikada”, “për arsye patriotike”, “duhet me i mbështet prodhimet vendore”.

Para dy javësh, e reja nga Ferizaj së bashku me shoqërinë e saj të fakultetit kishin protestuar për këtë qëllim në qendër të Prishtinës.

Plani i saj është që në çdo formë të mundohet që të thërras popullin për t’iu bashkuar kësaj kauze që të arrijnë synimin përfundimtar.

“Blerja e produkteve serbe çon në fuqizimin e tyre si shtet dhe po i njëjti shtet po kërcënon Kosovën çdo ditë me luftë, kjo i bie që ne me paratë tona po e vrasim vetveten, me paratë tona po i japim mundësi që të fuqizohet e edhe të na kërcënoj neve pastaj,” – shprehet Murtezi.

Photo: Antigonë Isufi/BIRN

Në anën tjetër, Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës Konsumatori po e konsideron si veprim të duhur e në raport proporcional me momentumin, me kërkesën e çastit për bojkot, por edhe si patriotizëm të vonuar ekonomik dhe të mbikëqyrur nga disa parti e politikanë të ndodhur në konflikt të thellë interesi dhe me politikat e kohës, si dhe nga disa afaristë të zhgënjyer.

“Në këto rrethana nuk mund të them, të parashikoj se bojkoti do të jetë afatgjatë. Por, duke e parë seriozitetin dhe vendosmërinë e qytetarit në bojkot, të irrituar tejmase edhe me veprimet e fundit në anën veriore të Mitrovicës, përplot urrejtje, shovenizëm, racizëm shpresoj se kësaj radhe bojkoti do të jetë definitiv,” – thotë ai për BIRN.

Sipas tij, rritja e numrit të marketeve që po i ndalojnë produktet serbe është sinjal i mirë.

Altruizëm për bojkot: ‘agjërim për hir të kombit’

Për të zgjeruar këtë kauzë, përveç thirrjeve publike, pronari i një agjencie të kontabilitetit në Podujevë, Fitim Shala po ofron shërbime falas kontabiliteti për bizneset që bojkotojnë produktet serbe.

Shala në një intevristë për BIRN tha që shpreson që ky veprim të shërbej si shembull për bizneset se si duhet hequr dorë nga përfitimi personal kur është në pyetje interesi shtetëror.

“Mendoj se kështu i jap të drejtë vetes që t’i kërkoj dikujt bojkotimin e produkteve serbe edhe nëse i shkaktoj humbje financiare, pasi një pjesë të tyre jam në gjende ta paguaj unë, duke e liruar atë nga shpenzimet e kontabilitetit,” – tha ai.

Photo: Antigonë Isufi/BIRN

Një ditë pas lajmit që do të ofroj shërbime falas për këto biznese, Shalës i janë lajmëruar tri biznese të cilat pasi të i vërtetojnë që nuk kanë produkte serbe do të fillojnë me shërbime për një vit.

Nga punë në shtëpi, Shala e ka hapur këtë zyrë në vitin 2017 që tashmë ka rreth 60 klientë dhe përveç kësaj po ofron shërbime falas për bojkotuesit e mallrave nga Serbia.

Kontabilisti duke parë që shumë tregtarë ishin ankuar se po fitojnë më pak nëse i zëvendësojnë produktet serbe me produkte të vendeve tjera, e kishin motivuar që t’ua ofroj mundësinë që shpenzimet e kontabilitetit për 1 vit të shndërrohen në fitim për ta dhe efektin e zëvendësimit të produkteve mos ta kenë barrë financiare.

Ai konsideron që vetëdijesimi për të mos konsumuar produktet me barkodin 860 fillon me individin, vazhdon me familjen, me lagjen, me qytetin dhe përfundon tek shteti.

“Ka nga ata që mendojnë se disa artikuj janë të pazëvendësueshëm e për ta kam një porosi: Mos harroni çfarë ka kaluar ky popull për t’u çliruar nga Serbia, dikush e dha jetën, dikush u gjymtua, dikush u dhunua. Falënderojeni Zotin që nuk ju ndodhi juve, për hir të tyre largojini produktet serbe nga jeta juaj, nëse konsideroni që nuk kanë zëvendësim, llogariteni si agjërim për hir të kombit, jetoni pa to,” – ishte thirrja e Shalës.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington atëkohë besohej që do të eliminojë barrierat tregtare që Serbia i ka bërë Kosovës.