Jashari: Kërkuam nga presidentja të mos e dekretojë Ligjin për Pagën Minimale

Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani ka thënë se nga kjo e fundit kanë kërkuar që të mos e dekretojë Ligjin për Pagën Minimale.

Jashari tha se nga presidenca kanë thënë se ligji do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.

“Kërkesa jonë ishte që të mos e dekretojë, të mos e nënshkruajë dhe presidentja e ka kabinetin ligjor dhe këshilltarët e saj që janë profesorë e njohës dhe paanshëm kanë me i pa të gjitha ato dhe me vlerësu dhe në fund me vendosë. Nëse e nënshkruan, ia vendosë vetes një njollë të keqe dhe e bën një punë shumë të keqe”- ka thënë Jashari.

Ai theksoi se do të shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore dhe se këtë ligj do ta kundërshtojnë edhe me protestë.

Jashari tha se përmes protestës kanë marrë vendim që të bllokojnë deputetët të mos futen në Parlament.

“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore por gjithsesi do ta kundërshtojmë edhe me protestë, siç e kemi marrë vendimin që edhe të bllokojmë deputetët që të mos futen në parlament ku kanë fyer skajshmërish veteranët, kur dolën edhe përgjimet me ata që i kemi pasë kundërshtarë në luftë duke bisedu edhe me kriminelë që t’i largojë veteranët nga benifitet” – tha Jashari.

Osmani ka zhvilluar sot takim me përfaqësuesit e Organizatave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së kanë kundërshtuar së fundmi votimin e pagës minimale nga Kuvendi i Kosovës, duke kërkuar që në pagën minimale të përfshihet edhe pensioni i veteranëve të luftës.

Pakënaqësitë, veteranët i shprehën e të shtunën pasdite në një protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Presidentja Osmani pritet t’i takojë përfaqësuesit e OVL-UÇK-së