Jasharaj: S’kemi konfirmim nga Ministria nëse do shtyhet fillimi i vitit shkollor

Në media është duke qarkulluar lajmi se nisja e vitit shkollor 2021/22 mund të shtyhet deri më 13 shtator dhe nuk do të fillojë më 1 shtator ashtu siç ishte planifikuar.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për KALLXO.com se ende nuk kanë marrë konfirmim nga ministria në lidhje me këtë çështje.

“Mbase është përmendur në takimet e tyre, por ne ende nuk kemi ndonjë konfirmim nga ana e Ministrisë së Arsimit, por ne do të zbatojmë çdo vendim që na vjen dhe po presim të na njoftojnë këshilltarët e ministres”, tha Jasharaj.

I pyetur nëse kanë informacione se a janë furnizuar të gjitha shkollat me tekste shkollore, ai tha se jo të gjitha janë furnizuar.

“Ajo çka mund të them në bazë të informacioneve të mia që ka marrë nga sindikatat në komuna, mungojnë disa tekste shkollore dhe mësimdhënësit janë bërë konfuz se cilat tekste alternative duhet përdor”, tha Jasharaj.

KALLXO.com gjatë ditës ka kontaktuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe këshilltarë të saj për të marrë përgjigje në lidhje me këtë, por askush nga ta nuk është përgjigjur në thirrjet dhe mesazhet e dërguara.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha se ende nuk ka një vendim të tillë.

“Nuk ka asnjë vendim lidhur me këtë. Është duke u analizuar gjendja dhe vendimet do te merren konform situatës epidemiologjike, jo vetëm për sektorin e arsimit”, tha Pupovci për KALLXO.com.

Dje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se pas një takimi me drejtorët komunal, janë pajtuar që mësimi të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike.

Edhe, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ditë më parë kishte theksuar se mësimi në shkollat e Kosovës do të fillojë më 1 shtator me prezencë në shkolla dhe me orar të rregullt.

Mësimi fillon më 1 shtator me prezencë fizike