RRAHMAN JASHARAJ
Jasharaj: Fillimisht të transferohen pagat pastaj të diskutojmë për orët e humbura
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se fillimisht duhet të transferohen pagat e mësimdhënësve, ndërsa pastaj të diskutohet për mundësinë e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë kohës sa punëtorët e arsimit kanë qenë në grevë.
“Fillimisht duhet të procedohen pagat, pastaj ulemi dhe bisedojmë dhe nëse mësimdhënësit e Kosovës mendojnë që duhet të mbajtur një ndonjë orë e humbur atëherë është çështje që ata vendosin” – ka thënë Jasharaj.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i kanë propozuar Ministrisë së Financave që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, sipas saj, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.
Deklaratën e ministres Nagavci e ka kundërshtuar kryetari i SBAShK-ut.
“Kontrata e thotë qartë lidhur me mbajtjen e orëve të humbura në grevë, kontrata e lidhur nga MAShTI dhe SBAShK-u e definon qartë se orët e humbura në grevë nuk do të kompenësohen”- ka thënë Jasharaj.
Sipas vendimit të ri të kalendarit të vitit shkollor 2022/2023, gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet shkollore parauniversitare përfundon me datën 27.01.2023. Gjysmëvjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023.
Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se orët e humbura gjatë grevës nuk do të zëvendësohen.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.
Sot, Institucioni i Avokatit të Popullit ka deklaruar se mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre.
Avokati i Popullit përmes një deklarate për media i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
MASHTI propozon pagesë avans për mësimdhënësit që i zëvendësojnë orët e humbura