Hedhja e pakove humanitare përmes parashutave për Gazën nga aeroplanët amerikanë, Foto: CBS News

Izraeli njofton pauzë ushtarake në rrugën e Gazës, për lehtësimin e rrjedhës së ndihmave

Ushtria izraelite tha të dielën se do të mbajë pauza të përditshme taktike në aktivitetet e veta ushtarake përgjatë rrugës kryesore në jug të Rripit të Gazës, për të lejuar futjen e më shumë ndihmave humanitare në enklavën palestineze.

Organizatat ndërkombëtare humanitare kishin paralajmëruar për një rritje të krizës humanitare në këtë pjesë të enklavës.

Ushtria tha se do të vazhdojnë luftimet në qytetin Rafah, ku Izraeli thotë se po e lufton bastionin e fundit të madh të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ajo njoftoi se aktivitetet ushtarake do të ndalen prej orës 5:00 deri në orën 16:00 gjatë ditës, deri në njoftimin e radhës, përgjatë rrugës e cila lidh pikëkalimin Shalom me rrugën Salah al-Din dhe veriun.

Me gjithë trysninë në rritje për një armëpushim në Gazë, arritja e marrëveshjes për ndaljen e luftimeve duket larg, tetë muaj pasi ka filluar lufta në enklavën palestineze.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha këtë javë se nuk pret të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gazë në një të ardhme të afërt, pasi një propozim i mbështetur nga SHBA-ja dhe të tjerët, nuk është pranuar plotësisht nga Izraeli apo Hamasi.

Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Më shumë se 37.000 palestinezë janë vrarë gjatë tetë muajve bombardime dhe sulme tokësore të Izraelit në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

Lufta e ka kufizuar dukshëm rrjedhën e ndihmave ushqimore, barnave dhe furnizimeve të tjera për palestinezët, të cilët po përballen me uri të madhe. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara thonë se mbi 1 milion njerëz në Gazë mund të përjetojnë shkallën më të lartë të urisë kah mesi i korrikut/RadioEvropaeLirë/.