Gaza, Foto: UNRWA/facebook

Izraeli do të marrë pjesë në bisedimet e reja për armëpushimin

Bisedimet për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit pritet të rifillojnë në Katar ndoshta që të dielën, thanë zyrtarët egjiptianë. Bisedimet do të shënonin herën e parë që zyrtarët izraelitë dhe ata të Hamasit ulen në tryezë që nga fillimi i muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, anijet e marinës amerikane kanë filluar ndërkohë operacionin e urdhëruar nga Presidenti Joe Biden për ndërtimin e një porti të përkohshëm që do të mundësonte dërgimin e përditshëm të ndihmave në Gazë.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë patën shpresuar se do të siguronin një armëpushim gjashtëjavor përpara se të fillonte Ramazani, por Hamasi refuzoi çdo formë marrëveshjeje që nuk do të sillte një armëpushim të përhershëm në Gazë, një kërkesë që u refuzua nga Izraeli.

Izraeli tha të premten se do të dërgojë një delegacion në Katar për bisedime të mëtejshme me negociatorët, pasi Hamasi paraqiti një propozim të ri, ku përfshihet shkëmbimi i pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë.

Delegacioni do të drejtohet nga kreu i agjencisë izraelite të zbulimit Mossad, David Barnea, tha një person në dijeni të bisedimeve, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu do të mbledhë kabinetin për të diskutuar propozimin e ri përpara mbajtjes së bisedimeve.

“Mund t’ju them se po punojmë intensivisht me Izraelin, Katarin, Egjiptin, për të përafruar qëndrimet dhe për të arritur një marrëveshje. Kemi bisedime që po zhvillohen edhe në këto momente që unë po flas këtu dhe jam i bindur se këto përpjekje do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim” – tha nga Vjena Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ndërkaq anijet e Shteteve të Bashkuara po lundrojnë drejt Gazës në një mision humanitar, të urdhëruar nga Presidenti Joe Biden. Objektivi është ndërtimi i një porti të përkohshëm në brigjet e Gazës ku do të shkarkohen ndihmat e ardhura me anije.

“Sapo të ndërtohet dhe të jetë gati për të kryer misionin, ne do të jemi në gjendje të dërgojmë 2 milionë vakte ushqimore në ditë” – thotë gjenerali amerikan Brad Hinson.

Por, ekspertët thonë se procesi kërkon kohë dhe është i kushtueshëm.

“Logjistika e përbashkët në bregdet është e improvizuar. Mënyra më e mirë për të dërguar ndihmat do të ishte me kamionë” – thotë ish-koloneli në ushtri Myles Caggins, tashmë në Institutin New Lines.

Por kamionët dhe qendrat e shpërndarjes së ndihmave janë sulmuar dhe palestinezët po përballen me uri.

Moli lundrues do të duhet disa javë që të mbërrijë dhe rreth dhjetë ditë të tjera për t’u montuar.

Ndërkohë, ushtria amerikane dhe vende të tjera si Jordania dhe Egjipti po i dërgojnë ndihmat në rrugë ajrore.

Por, ndihmat nga ajri janë të pamjaftueshme. Një avion transportues C-130 mund të mbartë po aq pako ndihmash sa një kamion.

Sean McFate, autori i librit “Rregullat e Reja të Luftës”, thotë se planet amerikane për shpërndarjen e ndihmave janë të pamenduara mirë.

“Nuk dihet nëse ndihmat shkojnë tek njerëzit e duhur, pasi nuk ekziston kontrolli i drejtpërdrejtë dhe Hamasi ia vjedh ndihmat popullsisë. Pra duket më tepër si një manovër politike në një vit zgjedhor nga kjo administratë, vetëm për të treguar se po bën diçka” – thotë zoti McFate.

Ndërkohë çdo ditë e luftës sjell vuajtje të mëtejshme për palestinezët. Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, rreth 63 palestinezë u vranë dhe 112 u plagosën gjatë 24 orëve të fundit. Të paktën 31,553 palestinezë janë vrarë dhe 73,546 janë plagosur që kur Izraeli filloi fushatën ushtarake pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 persona dhe u morën peng më shumë se 250 të tjerë. /VoA