Izraeli dhe Hamasi pajtohen për zgjatjen e armëpushimit

Izraeli dhe Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë pajtuar të hënën për ta zgjatur edhe për dy ditë të tjera armëpushimin, njoftoi Qeveria e Katarit.

Armëpushimi katërditor në luftime mes Izraelit dhe Hamasit do të skadonte sot. Në bazë të asaj marrëveshjeje, sot pasdite pritet të bëhet këmbimi i grupit të katërt të pengjeve izraelite në Rripin e Gazës me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite.

Për vazhdimin e këtij armëpushimi për edhe dy ditë të tjera njoftoi të hënën pasdite zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid Al Ansary, në rrjetin social X.

Katari, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin, janë ndërmjetësuesit kryesorë të konfliktit të vazhdueshëm mes Izraelit dhe Hamasit.

Izraeli ka thënë se do ta vazhdojë armëpushimin për një ditë shtesë për çdo 10 pengje shtesë të liruara.

Pas njoftimit të Katarit, Hamasi konfirmoi se është pajtuar për zgjatjen e armëpushimit për dy ditë të tjera “nën kushtet e njëjta”.

Megjithatë, Izraeli thotë se është i përkushtuar ta shkatërrojë Hamasin dhe t’i japë fund sundimit të tij 16-vjeçar në Rripin e Gazës, pas sulmit të luftëtarëve të grupit radikal në jug të Izraelit më 7 tetor.

Deri tani, 58 pengje janë liruar gjatë armëpushimit të tanishëm, përfshirë 39 izraelitë. Para armëpushimit, u liruan katër pengje, një tjetër u shpëtua dhe dy të tjerë u gjetën të vdekur në Gazë.

Izraeli i ka liruar 117 palestinezë nga burgjet e veta gjatë katër ditëve të armëpushimit.

Armëpushimi që nisi të premten në mëngjes u solli 2.3 milionë palestinezëve pakëz qetësi nga bombardimet e pareshtura izraelite, si pasojë e të cilave janë vrarë mijëra njerëz dhe janë rrafshuar ndërtesat e banimit, ndërsa tri e katërta e popullsisë u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e veta.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur./REL