Italia fillon të marrë frymë lirisht, të hënën zbuten masat e pandemisë (VIDEO)

Shtimi i numrit të vaksinave në Itali po jep efekte dhe gjatë javës së fundit janë raportuar shifra më të ulëta të rasteve të reja me COVID 19. Sipas buletinit ditor gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 5,218 raste të reja të koronavirusit në Itali, ndërsa dje ishin 5,741 raste.

Ndërkohë i lartë vijon të mbetet numri I viktimave ku këtë të premte u raportuan 218 humbje jete, ndërsa në total janë shënuar 125,028 viktima që nga Shkurti 2020. Rënie ka pësuar edhe numri i pacientëve që po trajtohen në spitale dhe në terapinë intensive. Sipas të dhënave zyrtare në Itali deri më tani dozat e vaksinave të administruara janë mbi 29.6 milion.

Ndërsa qytetarët që kanë marrë dozën e dytë janë më shumë se 9.6 milion (16.25% e popullsisë). Të hënën pritet që ministri i Shëndetësisë të nxjerrë urdhrin sipas të cilit e gjithë Italia të jetë në zonën e verdhë. Vendimi parashikon që nga 24 maji të ketë masa më lehtësuese për qytetarët në Itali. Vetëm tre rajone do të jenë të bardha. Bëhet fjalë për rajonet Friuli-Venezia, Sardenja dhe Molise të që nga 1 qershori do të jenë të hapura plotësisht. topchannel.