Paratë e Partive Politike Ende Mbeten Mister për Auditorin

Komisioni për Menaxhimin e Financave Publike është në fazën e finalizimit të amandamentimit të ligjit për Zyrën Kombëtare të Auditimit ku si problem kryesorë është auditimi i partive politike.

Dilemat se kujt t’i jepen kompetencat për auditimin e partive politike ishin pjesë e diskutimit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Menaxhimin e Financave Publike dhe mospajtueshmërisë ligjore që ky auditim të bëhet nga Auditori i Përgjithshëm.

Zëvendëskryesuesi i parë i Komisionit për Menaxhimin e Financave Publike, Ali Sadriu, propozoi që kompetencat për auditimin e partive politike t’i kryejë Zyra e Auditorit të Përgjithshëm si institucioni më profesional në vend.

“Kemi disa dilema por mendoj se auditimi i partive politike duhet të ndodhë. Nuk jam kategorik se kush duhet ta bëjë por në një mënyrë dikujt duhet t’i jepet ky autorizim, për mua nuk ka asnjë institucion më profesional, ma i veshur me imunitet për ta kryer këtë punë se sa Zyra e Auditorit të Përgjithshëm”, tha Sadriu.

Përveç donacioneve nga anëtarësia dhe bizneset, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, marrin një shumë totale prej mbi 2 milionë euro në vit nga buxheti i Kosovës në kuadër të të ashtuquajturit “Fond i Demokratizimit”.

Sipas Sadriut, partitë politike nuk janë audituar tash e 3 vjet dhe se auditimi i financave të partive është çështje e ndjeshme të cilën punë nuk dëshirojnë ta marrin shumica.

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani pretendonte se nuk duhet numëruar institucionet të cilat duhet audituar por duhet të merret nevoja e auditimit të të gjitha organeve shtetërore sipas mandatit që Auditori e ka me Kushtetutë.

“Ne nuk duhet të numërojmë se kush duhet të auditohet nga Auditori, ne kemi nevojë që të marrim mandatin e Auditorit të Përgjithshëm që i është dhënë me Kushtetutën e Kosovës dhe si formulim i përgjithshëm do të jetë i mjaftueshëm për t’i audituar të gjitha institucionet shtetërore”, tha Osmani.

Por me mendimin e Sadriut nuk u pajtua zyra Ligjore e Ministrisë së Financave e përfaqësuar nga Enis Spahiu për arsye se një gjë e tillë bie ndesh me Kushtetutën me të cilën përcaktohet se kush mund të auditohet nga Auditori i Përgjithshëm.

Kjo shumë ndahet proporcionalisht bazuar në numrin e deputetëve që secila parti ka në Kuvend.

“Kushtetuta thotë se Auditori i Përgjithshëm i Kosovës kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave tjerë juridikë shtetërorë, përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal, veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve publike dhe personave juridik të tjerë tek të cilët shteti ka një pjesë të aksioneve, andaj unë nuk e di si mundemi me i klasifiku subjektet politike në këto paragrafe”, tha Spahiu.

Pas një ore debat dhe mospajtimeve mes mendimeve të ndryshme të juristëve bën apo nuk bën që Auditori t’i auditojë partitë politike, Ali Sadriu urdhëroi që gazetarët të mos jenë më prezentë në sallë duke pretenduar se mbledhja është e mbyllur dhe nuk duhet që “çështjet fundamentale të jetës të bëhen lajme kur ende ligji është në debat”.