Ali Sadriu i reagon Dardan Molliqajt për akuzat ndaj Hasan Abazit

Ish- ministri i Financave dhe ish-drejtori i QKUK-së, Ali Sadriu, është deklaruar rreth debatit në mes Haki Abazit dhe Dardan Molliqajt ku ky i fundit ia përmendi prindin Abazit.

Ditë më parë, në një debat televiziv në “T7”, kandidati për deputet i koalicionit AAK/PSD, Dardan Molliqaj i kishte thënë se ai ka qenë në luftë kur babai i Abazit kishte vazhduar të punonte gjatë viteve të 90-ta.

Lidhur me këtë, Ali Sadriu deklaroi për KALLXO.com që Hasan Abazi, të cilin e njeh mirë sepse janë nga i njëjti fshat kishte qenë organizator kryesor i protestave në Ferizaj në vitin 1968.

Përveç kësaj ai theksoi se Hasan Abazi ka qenë deputet i LDK-së në dy mandate gjatë viteve të nëntëdhjeta, në sistemin paralel.

“E kam përjetuar rëndë dhe jam ndier shumë keq kur kam dëgjuar që një njeri si Hasan Abazi që ka dhënë për kombin aq shumë, është njollosë në atë formë nga Dardan Molliqaj gjatë debatit”, tha Sadriu.

Në një postim në “Facebook”, kandidati për deputetë nga Vetëvendosje, Haki Abazi ka treguar edhe një pjesë të biografisë për babin, Hasan Abazi.

“Mjaftojnë gjithashtu më pak se 10 minuta për të pare më shumë në google se kush është Hasan Abazi dhe cila ka qenë veprimtaria e tij me miq, kombtare dhe patriotike, që nga 1968 kur ka qenë njëri ndër organizatorët e Demonstratave të vitit 1968, i burgosur politik dhe dy herë parlamentar i paralmenteit të Kosovës kundrejt sistemit okupues të Millosheviçit, organizator i dhënies se bursave për qindra studentë, udhëheqës i komisionit për solidaritet, udheheqës i komisionit për informim, themelues i sindikatave të pavaruara të Kosovës në kohet më të vështira të okupimit”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Ndërkohë, kohë më parë edhe vetë Hasan Abazi kishte rrëfyer përvojën e tij politike në një intervistë për Drejtësia në Kosovë.

Haki Abazi tregon biografinë e babait të tij të burgosur nga Serbia pas akuzave të Molliqajt

www.kallxo.com