Pamje nga takimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike - Foto: KALLXO.com

Përgatitet Ligji për Financat e Brendshme Publike

Para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike sot është prezantuar Projektligji për kontrollin e brendshëm të financave publike i hartuar nga Ministria e Financave në kuadër të miratimit të Strategjisë 2015-2019.

Me këtë Projektligj përveç menaxhimit financiar rregullohet edhe llogaridhënia menaxheriale, pavarësia e auditimit të brendshëm, përgjegjësia e udhëheqësve të subjektit publik, përcaktohen edhe hapat për përcaktimin e parregullsive që mund të ndodhin në menaxhimin e financave të brendshme në institucione.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Ali Sadriu, theksoi se mangësi e Ligjit është statusi i auditorit dhe mospërfshirja e ndërmarrjeve publike në Ligj.

“Te Ligji nuk vërejta se është paraparë gradimi i auditorëve, që është një domosdoshmëri. Ky Ligj pak si në mjegull e len çështjen e statusit të tyre. A kanë ata status të shërbyesve civilë apo trajtohen me Ligj të Punës. Këtë e them për ta pavarësuar dhe për ta fuqizuar punën e tyre. Ligji është shumë i mirë po t’i kishte përfshirë edhe kompanitë publike, kur e dimë që atje gjithçka po ndodh”, tha Sadriu.

Anëtarja tjetër e këtij Komisioni, Synavere Rysha, theksoi se korrupsioni nuk mund të luftohet me degradimin e auditorëve, dhe kërkoi që trajtimi i tyre të rishikohet edhe një herë në Ligj.

“Ligji është shumë mirë i përgatitur, por si duket përmes këtij Ligji janë lënë anash auditorët, nuk janë specifikuar mirë apo tendencat janë që të kalojnë te shërbyesit civilë. Fokusin duhet ta kemi te kjo çështje sepse nëse dëshirojmë ta luftojmë korrupsionin sfera më e ndjeshme aty ku duhet ta fillojmë është me auditorë. Dhe nëse shkojmë duke i degradu auditorët cili do të jetë motivi?”, tha Rysha.

Kosum Aliu nga Ministria e Financave theksoi se shqetësimet në Ligjin e ri janë pagat e auditorit të brendshëm të cilat sipas një katalogu do të përgjysmohen.

“Ligji është mjaft mirë i hartuar. Çështja e ndërmarrjeve publike është e rregulluar me akte nënligjore në kuadër të këtij Ligji. Gjithashtu edhe gradimi i auditorëve do të rregullohet me akte nënligjore. Edhe me ligjet tjera edhe me këtë Ligj janë paraparë që auditorët e brendshëm të jenë shërbyes civilë, përderisa është shqetësuese paga e tyre. Në katalogun e pagave ka një degradim të pagës aktuale që e marrin auditorët e brendshëm, ajo do të përgjysmohet. Ka shqetësime edhe nga vetë auditorët, ku prej koeficientit 15 sa e kanë, në bazë të katalogut do të zbresë në 8, që realisht nuk është në rregull”, tha Aliu.

Projektligji u miratua në parim nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe pritet të shkojë në lexim të parë në Kuvend dhe pastaj bashkërisht me Ministrinë e Financave të punohet në plotësim ndryshimin e tij.