Ish-ministrat e financave e refuzojnë takimin me ministrin Bislimi

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot është takuar vetëm me guvernatorin e Bankës Qendrore ndonëse ftesën e tij për pjesëmarrje në takim e kishin konfirmuar edhe ish ministrit Ahmet Shala dhe ish ministrit, Bedri Hamza.

Bislimi përmes një njoftimi ka thënë se ish ministri Ahmet Shala është me qëndrim në SHBA dhe rrjedhimisht e ka të pamundur prezencën në takim, por ka ofruar mbështetje nga distanca me gjithë kapacitetin e tij intelektual, ndërsa ish ministri Hamza nuk e ka parë të mundshme pjesëmarrjen në takim për momentin.

Sipas Bislimit, ky takim ka qenë këshillues për dizajnimin e një pakoje më të avancuar për rimëkëmbjen ekonomike menjëherë pas përfundimit të masave kufizuese në përballje me pandeminë COVID-19.

“Unë kam takuar guvenratorin, z. Mehmeti, dhe kemi shkëmbyer informacione shumë të vlefshme për ecuritë në sistemin bankar dhe në sektorin privat të ekonomisë në tërësi. Po ashtu kemi analizuar mundësinë dhe afatet realiste për fillimin e relaksimit të masave kufizuese, dhe vështirësitë e sektorit privat deri në normalizimin e plotë të jetës dhe aktivitetit ekonomik. Si Ministria e Financave dhe Transfereve ashtu edhe Banka Qendrore është duke analizuar elementet kryesore që do të duhet të jenë pjesë përbërëse e pakos për rimëkëmbje ekonomike dhe po ashtu edhe akterët të cilët do duhej të përfshihen në diskutimet intensive”, ka thënë Bislimi.

Tutje Bislimi ka potencuar se përkundër mos gatishmërisë nga ish ministrat për mospjesëmarrje, kabineti i tij mbetet i hapur për idetë dhe kritikat e tyre konstruktive.

“Dua të përfundoj me potencim të sërishëm, se qëllimi i vetëm i ftesës për takimin e sotëm ka qenë gjetja e hapësirave për harmonizim të ideve dhe alternativave të subjekteve të ndryshme politike, në mënyrë që pas aprovimit të saj, pakoja të ketë mbështetje maksimale nga secili spektër i shoqërisë”, ka përfunduar ai.