Foto: LDK

Isa Mustafa kërkon nga BE ndihmë për bizneset private

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka marrë pjesë në samitin e videkonferences së Zagrebit të Partive Populore Evropianë për Ballkanin Perëndimor.

Mustafa ka njoftuar se u ka kërkuar partnerëve evropian mbështetje për sektorin privat të bizneseve.

“Nga partnerët evropianë kërkova mbështetje të drejtpërdrejtë të sektorit privat të bizneseve, për të evituar rrezikun nga papunësia, që pastaj mund të reflektohet në qëndrueshmërinë buxhetore dhe likuidetin bankar”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Përveç kësaj, Mustafa ka shkruar se ka biseduar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave e procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shpreha interesimin dhe përkushtimin e vendit tim për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet fqinje dhe faktin se përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke do të ndihmonte stabilitetin jo vetëm në rajon por edhe me gjerë”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.