Isa Mustafa flet për arrestimin e Jakup Krasniqit dhe dërgimin e tij në Hagë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar arrestimin e sotëm të anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Krasniqi u arrestua sot dhe është dërguar në Hagë pas ngritjes së aktakuzës nga ana e Gjykatës Speciale.

Sipas Mustafës, ngritja e aktakuzave dhe arrestimi i njerëzve te UÇK-së, nuk duhet të kuptohet si dëshmi për fajësinë e tyre.

Mustafa ka shkruar se askush në Kosovë nuk po i ik ballafaqimit me drejtësinë.

“Në Kosovë nuk po i iket ballafaqimit  me drejtësinë dhe zbardhjen e së vërtetës për luftën e pastër çlirimtare. Besojmë thellë në pafajësinë e luftëtarëve UÇK-së, sikurse edhe në pafajësinë e z. Krasniqi, ashtu siç vlerësojmë meritat e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe të ndërtimin demokratik të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Tutje, Mustafa ka shkruar se pret që të respektohet procedura të larta, duke përfshirë edhe respektimin e dinjitetit të njerëzve ndaj të cilëve ngritët aktakuzat.

Jakup Krasniqi u arrestua sot gjatë ditës. Avokati i tij ka njoftuar se ndaj tij është ngritur aktakuzë dhe i njëjti ka udhëtuar për në Hagë.