UP - Rektorati

Intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së ende në pritje

Intervistimi i kandidatëve për zgjedhjen e rektorit që do të udhëheqë  Universitetin e Prishtinës për katër vite ende nuk ka filluar.

Kjo “zvarritje” ka ndodhur pasi që Zenun Halili, kandidat për rektor në Universitetin e Prishtinës ishte eliminuar nga gara nga Komisioni Profesional për shqyrtimin e aplikacioneve të konkursit për rektor, të formuar nga Senati, me arsye se Halili ka konflikt interesi.

KALLXO.com merr vesh se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, më 4 gusht, ka dërguar kërkesë në te Agjencia Kundër Korrupsionit lidhur me çështjen e lartcekur.

Dërgimin e shkresës e ka konfirmuar për KALLXO.com  Kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra si dhe vet agjencia.

Lumnije Demi nga AKK tha të hënën për KALLXO.com  se palët mund  të iniciojnë rast vetëm atëherë kur dështojnë mekanizmat paraprak për parandalimin e konfliktit të interesit, si Komisioni vlerësues, dhe Autoritetet përgjegjëse brenda institucionit publik, në këtë rast Universitetit të Prishtinës.

Komisioni Profesional kishte eliminuar nga gara, kandidatin Zenun Halili për shkak se  në raportin final kishin konstatuar se sipas kritereve të konkursit publik, ai është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Në lidhje me kandidimin e Zenun Halilit pati reagime edhe nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), që ka ngritur dyshime për integritetin e tij akademik dhe lidhjet politike me Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.

Sipas një dokumenti të siguruar nga KALLXO.com,  arsyeja pse komisioni vlerësues e ka eliminuar nga kjo garë Halilin, ishte se ai para se të kandidonte, e kishte lënë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve, të cilin komision e formon Senati.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor të UP-së që do të shqyrtohen nga Senati dhe pastaj të dërgohen në organin vendimarrës, Këshillin Drejtues të UP-së.

Konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik në ora 15:30.