Foto: KALLXO.com

Pas 11 vitesh, 'NEWBORN' pritet të bëhet me bazament

Monumenti  ‘NEWBORN’ pas njëmbëdhjetë vitesh nga vendosja e tij do të bëhet me bazament.

Komuna e Prishtinës realizimin e këtij projekti ia ka besuar kompanisë N.T.Sh “Megrant ING”, me pronar Granit Hyseni.

Për ndërtimin e këtij bazamenti ishin planifikuar mbi 23 mijë euro, por kompania fituese kishte ofertën më të ulët për kryerjen e këtyre punimeve e që ishte 14 mijë euro (14,347,08).

Nënshkrimi i kontratës mes Komunës dhe kompanisë është bërë me 11 mars të këtij viti, ndërsa punimet pritet të zgjasin rreth 90 ditë.

Projekti i bazës së monumentit “New Born” është paraparë që të realizohet në lokacionin ekzsitues, pranë Pallatit të Rinisë.

“Baza e monumentit është paraparë si një pllakë masive nga betoni i armuar me trashësi 20 cm. Themelet në akordim me elaboratin e statikës janë paraparë si themele shiritore me dimensione 40x60cm. Si mbrojtje nga lagështia, është parapa që pllaka të lyhet me ngjyrë mbrojtëse, me tre shtresa”, është bërë e ditur dosjen e tenderit.

Poashtu në këtë dosje është paraparë edhe ndriçimi i këtij monumenti.

Pronari i kompanisë që do ta realizojë këtë projekt “Megrant Ing” Granit Hyseni tha për KALLXO.com se punimet do të fillojnë së shpejti.

“Do të fillojnë shumë shpejtë punimet derisa të shikohet tek Organi Mbikqyrës këtë javë dhe me fillu punimet menjëherë, ato presin të zgjasin 90 ditë. Lokacioni është ai ekzistues dhe është paraparë të bëhet një ndryshim i bukur, edhe me pas bazamentin që ka me qenë i lyrë me material epoksil”, tha Hyseni.

Ndërsa, nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur për KALLXO.com se kjo është hera e parë që hapet një tender i tillë.

“Vitet paraprake nuk është zhvilluar ndonjë procedurë për obeliskun e New Born”, tha zëdhënësja për informim në këtë komunë, Miranda Mullafazliu.

KALLXO.com po ashtu ka siguruar edhe fotot se si është planifikuar të realizohet bazamenti:

Foto: KALLXO.com

.