Foto: KALLXO.com

Instituti Hidrometerologjik paralajmëron vërshime gjatë ditëve në vijim

Instituti Hidrometereologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se vendi jonë ditëve në vijim mund të përballet me vërshime.

Përmes një njoftimi për media, Instituti ka thënë se reshjet e ditëve të fundit kanë ndikuar në tejngopjen e tokave, sidomos nëpër viset e ulëta dhe përgjatë rrjedhave lumore.

Situatë e tillë me reshje pritet të vazhdojë edhe ditëve në vazhdim, ku sipas parashkimit, nga nesër me datë 12 qershor pritet që të ketë reshje në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në disa zona ato do jenë më intensive, të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal.

Si pasojë e këtyre reshjeve, thotë Instituti, do të ketë tejlakim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, e problem në bujqësi.

Këto reshje mund të kenë ndikim në pjesën veriore në Pellgun e Ibrit, sistemtet lumore të Sitnicës së Llapit, e Drenicës.

Ndërsa në pjesën peëndimore, jugore dhe lindore mund të kenë ndikim në Pellgun e Drinit të Bardhë, Lepencit dhe Moravës së Binçës.