Urgjenca e Spitalit të Pejës - Foto: KALLXO.com

Inspektoriati i Punës: Spitali i Pejës punësoi kundërligjshëm një gazetar drejtor të Administratës

Spitali i Pejës revokon vendimin me të cilin në mënyrë të kundërligjshme kishte emëruar drejtorin e Administratës. KALLXO.com muajin e kaluar ka raportuar për një vendim të kundërligjshëm të Spitalit të Pejës përmes të cilit ishte emëruar drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta.

Deri te ky konstatim ka ardhur Inspektorati i Punës pas evidentimit të shkeljeve ligjore të punëdhënësit – Spitalit Regjional të Pejës.

Inspektorati kishte vepruar pas ankesës të punëtorit tjetër, Luan Pavata.

Kallxo mëson se pas vendimit të Inspektoratit të Punës për shkelje, drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, përmes një vendimi ka revokuar vendimin me të cilin ishte emëruar drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta.

“Revokohet vendimi për emërim në pozitën drejtor i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta për punëtorin e Spitalit z. Naim Saiti”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Spitalit të Pejës të siguruar nga KALLXO.com.

Por që Inspektorati i Punës kishte obliguar edhe në shpallje të konkursit të ri, e që në vendimin të drejtorit ekzekutiv nuk është e evidentuar shpallja e konkursit të ri.

“Punëdhënësi është i obliguar të shpallë konkurs të ri publik, dhe me rastin e përzgjedhjes së kandidatit t’i përmbahet procedurave të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik si dhe dispozitave të Ligjit të Punës nr.03/L-212”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.

Ankuesi Luan Pavata është prononcuar lidhur me rastin për KALLXO.com.

“Mire që është vepruar sipas vendimit të Inspektoratit të Punës, por konsideroi që është e kundërligjshme që e ka kthyer në pozitën e mëhershme si ushtrues detyre”, tha Luan Pavata  pas pranimit të vendimit të Spitalit të Pejës.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Naim Sahitin, i cili ishte punësuar në pozitën e lartcekur dhe me drejtorin Skender Dreshaj, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë qenë të qasshëm.

Gjetjet e Inspektoratit të Punës

“Inspektorati në asnjë dispozitë ligjore nuk ka hasur se drejtori ekzekutiv në bazë të performancës ka të drejtë të emërojë punëtorin prej një pozite në një pozitë tjetër sikurse që kemi të bëjmë në rastin konkret”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Sipas Inspektoratit, i emëruari në këtë pozitë nuk ka kualifikimin adekuat që kërkohet për këtë pozitë.

Në këtë raport fillimisht thuhet se nga ana e Spitalit Regjional Pejë nuk është zbatuar dispozita sipas të cilës konkursi publik duhet të jetë në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara me aktet juridike dhe aktet e brendshme në fuqi.

Inspektorati i Punës ka gjetur se Spitali si punëdhënës nuk ka dhënë argumente se ka më shumë se një kandidat që i plotësojnë kushtet e kërkuara për pozitën, e as nuk janë dhënë fakte se në konkursin e brendshëm kanë aplikuar më shumë se një kandidat që të arsyetonin që punëdhënësi të marrë një veprim të tillë.

Spitali i Pejës ka shpallur konkurs për herën e dytë, me arsyetimin që herën e parë nuk është paraqitur asnjë kandidat.

Ky veprim sipas Inspektoratit të Punës paraqet shkelje të dispozitave ligjore të Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik.

Kandidati i punësuar nga Spitali, Naim Sahiti, nuk ka diplomë të Fakultetit Juridik ose Ekonomik apo të Inxhinierisë që kërkohen për këtë pozitë, por që i njëjti bazuar në gjetjet e Inspektoratit, ka diplomë në fushën e Gazetarisë.

Vendimi për anulimin e vendimit për punësimin e Naim Sahitit

Spitali i Pejës punëson në mënyrë të kundërligjshme drejtorin e Administratës dhe Shërbimeve

.