Foto: Facebook

Spitali i Pejës punëson në mënyrë të kundërligjshme drejtorin e Administratës dhe Shërbimeve

Spitali i Pejës ka nxjerrë vendim të kundërligjshëm përmes të cilit është emëruar drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta.

Te ky konstatim ka ardhur Inspektorati i Punës pas evidentimit të shkeljeve ligjore të punëdhënësit – Spitalit Regjional të Pejës.

KALLXO.com ka siguruar raportin zyrtar përfundimtar të përpiluar nga Inspektorati i Punës.

Vendimin për emërimin në këtë pozitë e ka marrë drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

Inspektorati në asnjë dispozitë ligjore nuk ka hasur se drejtori ekzekutiv në bazë të përformances ka të drejtë të emërojë punëtorin prej një pozite në një pozitë tjetër sikurse që kemi të bëjmë në rastin konkret.

Sipas Inspektoratit, i emëruari në këtë pozitë nuk ka kualifikimin adekuat që kërkohet për këtë pozitë.

Në këtë raport fillimisht thuhet se nga ana e Spitalit Regjional Pejë nuk është zbatuar dispozita sipas të cilës konkursi publik duhet të jetë në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara me aktet juridike dhe aktet e brendshme në fuqi.

Inspektorati i Punës ka gjetur se Spitali si punëdhënës nuk ka dhënë argumente se ka më shumë se një kandidat që i plotësojnë kushtet e kërkuara për pozitën, e as nuk janë dhënë fakte se në konkursin e brendshëm kanë aplikuar më shumë se një kandidat që të arsyetonin që punëdhënësi të marrë një veprim të tillë.

Spitali i Pejës ka shpallur konkurs për herën e dytë, me arsyetimin që herën e parë nuk është paraqitur asnjë kandidat.

Ky veprim sipas Inspektoratit të Punës paraqet shkelje të dispozitave ligjore të Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik.

Kandidati i punësuar nga Spitali, Naim Sahiti, nuk ka diplomë të Fakultetit Juridik ose Ekonomik apo të Inxhinierisë që kërkohen për këtë pozitë, por që i njëjti bazuar në gjetjet e Inspektoratit, ka diplomë në fushën e Gazetarisë.

“Punëdhënësi është i obliguar të shpallë konkurs të ri publik, dhe me rastin e përzgjedhjes së kandidatit t’i përmbahet procedurave të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik si dhe dispozitave të Ligjit të Punës nr.03/L-212”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.

Inspektorati i Punës ka vepruar sipas ankesës së punëtorit të Spitalit, Luan Pavata.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin ekzekutiv të Spitalit të Pejës, Skender Dreshaj, i cili tha se brenda afatit kohor do të kthejë përgjigje në raportin e Inspektoratit të Punës.