Ilustrim

Inspektorati fillon inspektimet rreth largimit të punëtorëve të Aeroportit nga puna

Inspektorati i Punës ka filluar inspektimet pas raportimeve për largimin e 51 punëtorëve nga puna në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” që nga janari i këtij viti.

KALLXO.com kishte raportuar për largimin e 23 punëtorëve pa paralajmërim në janar të këtij viti.

Ndërsa sot zyrtarë nga Aeroporti kanë konfirmuar mosvazhdimin e kontratave të 28 punëtorëve të tjerë.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit Valon Leci ka thënë për KALLXO.com  që inspektimi do të bëhet për të dy rastet.

“Inspektorët e punës janë në inspektim që disa ditë në Aeroport. Kjo ndërmarrje është punëdhënës i madh dhe inspektimi zgjat. Nuk është inspektim që kryhet për një ditë ose një javë. Por inspektorët janë në inspektim”, tha ai.

Leci ka thënë që do të inspektohen të gjitha rastet e largimeve nga puna.

“Do të inspektohen të gjitha rastet që kemi të bëjmë me këtë natyrë dhe me natyra të tjera. Sipas mediave kam marrë informacionin, nuk kemi shifra të sakta se sa është numri i të larguarve”, tha ai.

Në anën tjetër Sindikata e punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” po pretendon që nga janari janë larguar 54 punëtorë nga puna si ‘hakmarrje’ për grevën në gusht.

Aeroporti i Prishtinës largon nga puna pa paralajmërim mbi 20 punëtorë