Inicuesja për vendosjen e lapidarit në Prapashticë flet për mënyrën si u caktua prona

Fiknete Bejta, asambliste e pavarur në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka reaguar për vendosjen e lapidarit të dëshmorëve në Prapashticë në pronën e djemëve të kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Ajo për KALLXO.com ka thënë se ka qenë iniciatore e këtij projekti si pasardhëse e 47 viktimave në masakrën e vitit 1921, kurse sa i përket lokacionit ajo konsideron se nuk ka pasur rëndësi për të.

“Angazhimi im në Kuvendin Komunal ka qenë dhe është maksimal që ai memorial të ndërtohet, dhe rrjedhimisht secili qytetarë që ka viktima nga familjet e tyre në atë kohë, të mund t’i përkujtojnë të parët e tyre duke më përfshirë edhe mua që kam 47 familjarë deshmorë në masakrën në fjalë.
Në këtë kontekst, për mua nuk ka qenë problem esencial lokacioni dhe aq më pak se e kujt është prona që është ofruar në shfrytëzim, sepse për mua thelbësore është që kjo vepër historike të përfundoj”, ka thënë Bejta.

Ajo konsideron se kjo situatë po keqpërdoret nga persona të papërgjegjshëm, kurse për lokacionin tha se një pjesë është pronë publike dhe një pjesë e familjes së Isa Mustafës i cili po ashtu ka paraardhës të vrarë në atë masakër.

Për lokacionin te shkolla që e kishin kërkuar disa banorë Bejta tha se është në kontest pronësor.

“Meqenëse është duke u keqpërdorur kjo situatë nga dy individë të papërgjegjshëm duke dezinformaur lidhur me lokacionin e memorialit më duhet të informojë saktë secilin që ka interes në këtë temë: E para, lokacionin e ka propozuar Këshilli Inicues për ndërtimin e memorialit në përbërjen e të cilit janë edhe perfaqësues nga asamblea, komuna dhe bashkêsia lokale. E dyta, lokacioni ku do të ndërtohet memoriali është në pronë publike e (Ministrisë së Infrastrukturës) dhe një pjesë e familjes së ish-kryeministri Mustafa ( i cili gjithashtu ka familjar viktima në këtë masakër) cilën tokë e kanë fal për këtë memorial. Ndërsa lokacioni i propozuar tek shkolla është në kontest pronësor, dhe me ligj Komuna nuk guxon të ndërtojë në një tokë kur nuk ka titullar të saktë”, ka shtuar tutje Bejta për Kallxo.com

Bejta për fund shtoi se memoriali është projekt 100% Komunës dhe si i tillë ka përfillur të gjitha procedurat ligjore duke përfshirë edhe lejen e ndërtimit.

Kallxo.com sot ka raportuar se lapidari i dëshmorëve të vitit 1921 në Prapashticë dhe fshatra përreth do vendoset në pronën e djemëve të Isa Mustafës, kurse disa banorë kishin kërkuar që ky lapidar të vendosje në oborrin e shkollës.

Lapidari i dëshmorëve në Prapashticë do vendoset në pronën e djemve të Isa Mustafës