Gurthemeli i Lapidarit në Prapashticë

Lapidari i dëshmorëve në Prapashticë do vendoset në pronën e djemve të Isa Mustafës

Rreth 30 kilometra larg qytetit të Prishtinës gjendet fshati Prapashticë.

Në këtë fshat dhe përreth para 100 viteve, saktësisht më 11.01 1921, ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha në Kosovë, ku brenda 24 orëve ushtria dhe xhandarmëria serbe kishin vrarë mbi 1500 shqiptarë të të gjitha moshave.

Kjo masakër deri sot është lënë në harresë, madje edhe varret për shumicën prej të vrarëve nuk dihet se ku janë.

Për ta kujtuar këtë masakër, komuna e Prishtinës ka planifikuar që të vendos një lapidar përkujtimor për të rënët.

Përurimi i vënies së themelit të këtij lapidari u bë dje, kurse pati edhe shumë kundërshtime nga banorët lidhur me lokacionin e caktuar nga Komuna.

Sipas Latif Aliut, banor i këtij fshati, banorët kanë shprehur dëshirë që ky lapidar të vendoset në vendin e shkollës së vjetër ku qytetarët kishin vendosur të falin edhe tokë për këtë lapidar, por sipas tij, në fund i ishte bërë kërkesë Isa Mustafës që të falte 4 ari tokë që gjenden në hyrje të fshatit.

Aliu ka thënë se ai vend nuk është i përshtatshëm për vënien e lapidarit pasi duhet të pritet mali.

Aliu gjithashtu shtoi se kanë bërë kërkesë te kryetari Shpend Ahmeti dhe nënkryetari Selim Pacolli që lapidari të vendoset te shkolla e vjetër, por kjo sipas tij nuk është marr parasysh.

Lidhur më këtë banorët kanë nënshkruar edhe një peticion në shenjë kundërshtimi.

Vendosja e këtij lapidari Komunës do i kushtojë 175 mijë euro.

Një banorë i këtij fshati tha se në plan për vendosje të lapidarit ka qenë prona përballë asaj ku është vënë dje, por që pronari nuk e ka lëshuar. Madje ai tha se Komuna ka rrëmihë në atë pronë pa dijen e pronarit.

“Në këtë pronë ka filluar të rrëmihë Komuna, pronari nuk e ka ditur fare që Komuna ka plan të tillë, dje e kam njoftuar dhe ai më pas ka ardhur dhe u ka thënë të largohen dhe të dalin në pronë të Isa Mustafës meqenëse ai e ka liruar”, është shprehur banori i këtij fshati.

Një banor tjetër e konfirmoi se themeli ku është vënë dje, është pronë e Isa Mustafës të cilën e ka falur për vënie të  lapidarit.

“Po është e vërtetë që prona është e Isa Mustafës”, tha ai.

“Saktë nuk di si është ndarë, vetëm e di se Isa Mustafa apo vëllai i tij ka thënë që sa i përket tokës që është e imja unë mundem të jap tokë për vendosjen e atij lapidari, për tokën përballë që ka qenë e destinuar nuk di asgjë pasi pronari nuk jeton aty”, ka thënë një banor tjetër i këtij fshati.

Kallxo.com ka kontaktuar me Kreun e LDK-së, Isa Mustafa. Ai për Kallxo.com ka thënë se prona është e djemve të tij të cilët e kanë ofruar atë për komunën pa kompensim.

“Është toka e djemve të mi, Arbenit dhe Besnikut. Komuna ka kërkuar nga ata, që nëse nuk ka tokë të mjaftueshme publike përgjatë rrugës, t’iu ofrohet nga toka e tyre për ngritjen e lapidarit dhe janë pajtuar. Nuk kanë bërë marrëveshje formale, por tokën e kanë ofruar pa kompensim për interes publik”, është shprehur Mustafa.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Prishtinës se përse nuk është marr parasysh kërkesa e banorëve që lapidari të ngritet në oborrin e shkollës, ose nëse i kanë kërkuar dikujt tjetër që të lëshojnë pronën, por deri në momentin e publikimit nuk kemi marr ndonjë përgjigje.