Ilustrim

'Impact' dhe 'Beethoven' shënojnë nesër ditën e përkujtimit të viktimave në komunikacion

Me moton “Një lule për ata që s’janë”, Qendra për Zhvillim Multikulturor,“Impact” edhe Shkolla e Muzikës, Artit dhe Baletit, “Beethoven” në Prishtinë, do të shënojnë nesër “Ditën vendore të përkujtimit të viktimave të komunikacionit rrugor”.

Përmes një njoftimi për media, QZHM “Impact” njofton se shënimi i kësaj dite ka për qëllim që nëpërmjet përkujtimi të këtyre viktimave, të rritet shkalla e ndërgjegjësimit qytetar, në mënyrë që të ketë numër më të vogël aksidentesh, respektivisht më pak jetë të humbura në rrugë.

Për shënimin e kësaj dite, organizatorët kanë planifikuar mbajtjen e tri performancave artistike në tri rrugët më të frekuentuara në kryeqytet.

Këto performanca do të zhvillohen në rrugët: Garibaldi (përbrij Hotelit Grand, në vendkalim të këmbësoreve);  Agim Ramadani, (para Hotel ‘Sirius’, në vendkalim të këmbësoreve) dhe Luan Haradinaj (para New Born, në vendkalim të këmbësorëve).

“Performancat do të shfaqen njëkohësisht, nesër (23 prill 2021) duke filluar nga ora 12:00 dhe përfundojnë në orën 12:10. Shfaqjet do të zhvillohen në mes të rrugës për qarkullim makinash dhe gjatë tërë kohës do të asistoi policia, duke mbajtur të stopuar qarkullimin, deri në përfundim të tyre”, thuhet në njoftimin e “Impact”.