Ilustrim

IKShPK njofton për situatën aktuale me ujë të pijes në vendbanimet e vërshuara

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka rekomanduar qytetarët që uji para përdorimit të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në burime.

Sipas njoftimit, ekipet e IKSHPK kanë ngritur vigjilencën dhe monitorimin e ujit për pije.

Turbullirat në kanalin “Ibër Lepenc” kanë vështirësuar trajtimin e ujit në fabrikën në Shkabaj dhe Drenas, të cilat janë jashtë funksionit.

“Turbullira e shtuar në Kanalin “Ibër Lepenc” e ka vështirësuar procesin e trajtimit të ujit në Fabrikën në Shkabaj dhe atë në Drenas. Këto dy fabrika aktualisht janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë të proceseve teknologjike të përpunimit te ujit. Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar kufizime në gjitha zonat e shërbimit të KRU-Prishtina” – thuhet në njoftim.

Ndërsa të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKSHPK nga pjesët e tjera që po furnizohen me ujë të pijes janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ për cilësi dhe konsum human.

Nga dje, IKSHPK thotë se në fabrikën në Balicë dhe Shipol kanë ndërprerë furnizimin në Mitrovicë dhe Skenderaj për shkak të rritjes së turbullirës në ujin e papërpunuar. Pritet që në orët e pasdites të rifillojë trajtimi i ujit por me kapacitet të zvogëluar.

“Në mostrat e grumbulluara deri dje, analiza laboratorike fiziko-kimike rezultojnë me vlerë të ngritur të turbullirës që i tejkalon vlerat standarde të lejuara. Rezultatet preliminare të mostrave bakteriologjike të ditës së djeshme janë në rimbjellje dhe rezultatet përfundimtare do të jepen nesër, më 21 janar”- thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Turbullira vazhdon të jetë prezentë në Burimin “Drini i Bardhë-Radavc” dhe Burimin “Shkozë-Junik”.

Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, IKSHPK-ja bën të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi “Jarinë-Klinë” dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga Fabrika e ujit në Klinë.

Gjithashtu është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi i ujit drenazhet sistemi “CDF-Deçan”.

Ndërkaq, në zonat e furnizimit nga KRU “Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është brenda rregullave. Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan dhe Gërqinë uji nuk është për pije për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës.

Më tej, sipas monitorimit të IKSHPK-së, të gjitha mostrat e ujit që janë marrë dje dhe sot në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes