Foto: BBC

Dy aparate për teste të coronavirusit nuk janë duke u përdorur

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë me anë të një njoftimi të gjatë ka kërkuar që të mos kritikohen se po kryejnë pak teste për coronavirus në laboratorin e Mikrobiologjisë.

Kjo për shkak të buxhetit, mungesës së hapësirës për laborator dhe personelit të specializuar për këtë çështje.

IKShP tani po punon edhe me dy aparate “Real Time PCR” të ofruara nga Agjencioni për prodeukte medicinale dhe Fakulteti i Mjekësisë, ndërsa dy aparate të tjerë që i janë ofruar për shërbim i kanë lënë në rast nevoje që t’i përdorin.

“Janë pranuar dy aparate “Real Time PCR” për shfrytëzim në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, njëri nga Fakulteti i Mjekësisë, si dhe tjetrin nga Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale. Dy institucione tjera, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë kanë ofruar Real Time PCR aparatet e tyre për shfrytëzim në rast të nevojës”, thuhet në njoftimin e IKShP-së të publikuar në faqen e tyre në Facebook.

Gjithashtu IKShP ka njoftuar se janë në proces të blerjes së katër aparateve të reja për ekstraktim automatik të acideve nukleike që është një proces i rëndësishëm për testim.

“Kjo përmes Zyrës së OBSh-së në Prishtinë dhe USAID-it. Si dhe 4 aparate Real Time PCR përmes zyrës së USAID-it dhe CDF-it (GFATM ). Pas 4-6 javësh kapacitetet laboratorike me aparaturë pritet të rriten dukshëm duke ju falënderuar këtyre donatorëve”, ka njoftuar IKShP.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se që nga 8 shkurti deri më dje, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën Real Time-PCR, janë testuar gjithsej 3 mijë e 256 mostra të dyshimta në virusin COVID-19 .

Deri sot në Kosovë, 377 raste janë konfirmuar me coronavirus. Nga ta 63 janë shëruar ndërsa numri i viktimave është8.