Foto: Policia e Kosovës

I futi 10 euro në lejen e qarkullimit, Policia inicion rast - dhënie e ryshfetit ndaj shoferit në Jarinjë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare në Jarinjë, shoferi kishte tentuar t’u japë zyrtarëve policorë ryshfet 10 euro.

“Gjatë kontrollit kufitar, vozitësi i këtij kamioni me qëllim të “dhënies së ryshfetit” brenda lejes së qarkullimit kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej dhjetë (10) euro” – njofton Policia.

Automjeti ka qenë kamionetë e tipit “Iveco”, me targa të Republikës së Kosovës, dhe po transportonte vetura me targa të huaja.

Sipas njoftimit, Policia me autorizim të prokurorit ka iniciuar procedurë të rregullt për rastin – dhënie e ryshfetit dhe ka sekuestruar kartëmonedhën.

Në një rast tjetër, në kuadër të planit operativ “Goditja”, në pikëkalimin kufitar në Merdarë, Policia ka gjetur mall të padeklaruar dhe pa dëshmi të blerjes, në një automjet të tipit “Citroen”, me targa të Serbisë, me vozitës shtetas serb.

Malli i padeklaruar përfshin dy orë të dorës, 7 parfuma, 6 palë këpucë, 1 palë veshje sportive, 11 palë pantallona, 2 jakne dhe 2 këmisha.

Ky mall është sekuestruar nga Dogana e Kosovës për vlerësim të mëtejmë.