I dërgoi fotografi të organit gjenital në Whats App dhe mesazhe të tjera denigruese një gruaje, dënohet me gjobë
Gati tri vjet nga raportimi i rastit, Gjykata e Gjilanit e ka dënuar me burg prej 120 ditësh një burrë për ngacmim seksual. Sipas vendimit të prillit të këtij viti, ky dënim do të zëvendësohet me 800 euro gjobë. I pandehuri Sh.B është i obliguar ta paguajë me katër këste mujore që nga dita kur ky aktgjykim e merr formën e prerë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se më 5 gusht të vitit 2020, gjatë intervalit kohor prej orës 10:25 – 16:30min, nga fshati Pidiq i Komunës së Gjilanit, me qëllim të ngacmimit seksual, e ka degraduar dhe poshtëruar të dëmtuarën A.H.
“Në atë mënyrë që fillimisht nga telefoni i tij me numër …nga rrjeti social what app i dërgon të dëmtuarës në telefonin e saj me numër të telefonit…., mesazhe me përmbajtje degraduese dhe poshtëruese, e më pas ia dërgon edhe dy foto të organit të tij gjenital, me qëllim të degradimit – poshtërimit, ashtu që të dëmtuarën e ka vënë në shqetësim të madh emocional” – thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Gjilanit.
Në shqyrtimin fillestar që është mbajtur më 9 prill të vitit 2020 i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë. Ndërsa në shqyrtimin gjyqësor më 16 mars të vitit 2023, pas leximit të aktakuzës, i pandehuri deklaroi se e ka kuptuar në tërësi aktakuzën dhe veprën penale për të cilën akuzohet dhe se e pranon fajësinë për kryerjen e veprës penale.
Me këtë pranim të fajësisë së tij është pajtuar prokurorja e shtetit e cila i ka propozuar gjykatës që i njëjti të shpallet fajtor duke i marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Gjykata ka pranuar pranimin e fajësisë nga i pandehuri.
Në arsyetimin e vendimit tek elementet e veprës penale, gjykata ka potencuar se “ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”.
Nëse i pandehuri nuk dëshiron ose nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë atëherë dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet në dënim me burgim ashtu që një ditë burgim do t’i llogaritet për çdo 20 euro, të dënimit me gjobë.
Kundër këtij aktgjykimi mund të paraqitet ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të të njëjtit. Ankesa në kopje të mjaftueshme i paraqitet Gjykatës Themelore në Gjilan.