Ilustrim

I arrestuari për vrasjen e Oliver Ivanoviq është Milan Mihajloviq, i njohuri si 'Popi'

Mbrëmjen e kaluar Policia e Kosovës ka arrestuar një person në lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

I arrestuari siç mëson KALLXO.com është shtetas me nacionalitet serb, i cili ka jetuar në Leposaviq, Milan Mihajloviq i njohur me nofkën “Popi”.

Në kohën kur Prokuroria Speciale kishte shpallur urdhër-arrest ndërkombëtar për Milan Radojiqiq dhe Zvonko Veselinoviqin nën dyshimet se cilësoheshin udhëheqës të grupit të cilët janë përfshirë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, një urdhër-arrest vendor ishte edhe për Milan Mihajloviqin të njohur si “Popi”.

Mihajloviq që nga viti 2019 ka qenë i pakapshëm për organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë.

Ai po dyshohet se është anëtar i grupit kriminal të organizuar që ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘’Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ lidhur me veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ , në rastin e vrasjes së  Oliver Ivanoviq.

Këto vepra ai dyshohet se i ka kryer së bashku me të akuzuarit  e tjerë N.S., M.R., R.B dhe S.A., ku për të cilët është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç, ishte qëlluar me armë zjarri në veriun e Mitrovicës para zyrës së partisë së tij, më 16 janar të vitit 2018.