Hulumtimi i KALLXO.com, Prokuroria Speciale paralajmëron veprime hetimore
Prokuroria Speciale ka reaguar pas transmetimit të emisionit “KallxoPernime” për aferën në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.
Prokuroria Speciale ka paralajmëruar se do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast.
“Menjëherë pas publikimit të këtij emisioni, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka analizuar të gjitha të dhënat e transmetuara në këtë hulumtim medial dhe do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Një hulumtim dyvjeçar i emisionit “KallxoPërnime” ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.
Për dy ditë radhazi janë shfaqur pjesë të hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.
Biznesmeni Sali Dakaj po pretendon se përmes dy personave ia ka dhënë 150 mijë euro ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutit, për të ndikuar që një lëndë gjyqësore për një borxh në vlerë 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.
Për emisionin “Kallxo Përnime”, Dakaj ka rrëfyer se si dy persona, biznesmeni Hasan Morina dhe zyrtari i Vetëvendosjes (tashmë i pezulluar nga anëtarësia e partisë), Liridon Fandaj, e kishin takuar dhe i kishin thënë se e kanë njeriun e tyre që mund ta kthejë lëndën në favorin e tij porse për këtë duhej t’i jepeshin 150 mië euro.
“Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare, se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet” – kishte porositur Haxhi Dërguti biznesmenin Sali Dakaj.
Pjesën e parë të hulumtimit mund ta ndiqni në këtë LINK
Pjesën e dytë të hulumtimit mund ta ndiqni në këtë LINK