Hulumtimi i KALLXO.com, Haxhi Dërguti: Kur të kthehem në Kosovë do të paraqitem para organeve ligjzbatuese
Ish-Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, ka reaguar pas hulumtimit të KALLXO.com, për aferën korruptive në sistemin e drejtësisë, pasi në mesin e të përfshirëve është edhe vetë ai.
Dërguti pretendon se inçizimet e publikuara nga KALLXO.com janë marrë në mënyrë të paautorizuar.
Ish-kryeprokurori thotë se do të ofrojë gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime.
“Duke e kuptuar ndjeshmërinë e rastit dhe i vetëdijshëm për përcepcionin e krijuar në publik pas këtyre publikimeve, ndjej për obligim që të ofrojë gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e kësaj çështje, e vërtetë kjo e cila është krejtësisht ndryshe nga ajo çfarë është tentuar të paraqitet!”- ka thënë Dërguti përmes një komunikate për media.
Ai thotë se gjendet aktualisht jashtë vendit për disa kontrolla mjekësore. Porse shton se sa më shpejtë që të jetë e mundur do të kthehet në Kosovë, dhe se “do të paraqitet vullnetarisht, menjëherë para organeve kompetente ligjzbatuese”.
“Siç kam deklaruar edhe në disa prononcime për disa media, meqë gjendem jashtë vendit për një vizitë lidhur me disa kontrolla mjekësore të paracaktuara me herët, unë sapo të përfundojë kontrollat mjekësore, dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur do të kthehem në Kosovë, ku do të paraqitem vullnetarisht, menjëherë para organeve kompetente ligjzbatuese, me qëllim të sqarimit dhe ballafaqimit kundër të gjitha pretendimeve të ngritura ndaj meje dhe në emër timin, në përmbajtjen e këti emisioni, dhe me qëllim që e vërteta të zbardhet deri në fund” – ka thënë Dërguti.
Një hulumtim dyvjeçar i emisionit “KallxoPërnime” ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.
Incizimet pasqyrojnë përfshirjen e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti në një aferë korruptive. Të gjitha inçizimet janë bërë në vende publike dhe përbëjnë çështje të interesit të lartë publike.
Për dy ditë radhazi janë shfaqur pjesë të hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.
Biznesmeni Sali Dakaj po pretendon se përmes dy personave ia ka dhënë 150 mijë euro ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutit, për të ndikuar që një lëndë gjyqësore për një borxh në vlerë 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.
Për emisionin “Kallxo Përnime”, Dakaj ka rrëfyer se si dy persona, biznesmeni Hasan Morina dhe zyrtari i Vetëvendosjes (tashmë i pezulluar nga anëtarësia e partisë), Liridon Fandaj, e kishin takuar dhe i kishin thënë se e kanë njeriun e tyre që mund ta kthejë lëndën në favorin e tij porse për këtë duhej t’i jepeshin 150 mië euro.
Dakaj ka treguar se u kishte besuar dhe kishte marrë paratë borxh për t’ia dhënë Haxhi Dërgutit, atëherë kryeprokuror i Apelit.
Meqë lënda nuk kishte përfunduar në favor të tij, Dakaj kishte filluar të kërkonte paratë që i kishte dhënë.
Për këtë ai kishte takuar Hasan Morinën dhe Liridon Fandajn, e mandej edhe vetë ish-kryeprokurorin Dërguti.
Ky i fundit, sipas një video-incizimi, e këshillon Dakajn që t’i rrijë gati lëndës në gjyq, të gjejë njerëz e të japë para, përndryshe lënda nuk kryhet në favor të tij.
“Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare, se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet” – kishte porositur Haxhi Dërguti biznesmenin Sali Dakaj.
Në një takim tjetër, të cilin Dakaj po ashtu e ka incizuar me kamerë, Dërguti mohon se ai i ka marrë paratë, por nuk e mohon se është takuar me gjyqtarë në lidhje me lëndën e Sali Dakajt.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka premtuar se Prokuroria do të veprojë pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime”, i cili zbardhi një afërë të madhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Prokuroria Speciale ka paralajmëruar se do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast.
“Menjëherë pas publikimit të këtij emisioni, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka analizuar të gjitha të dhënat e transmetuara në këtë hulumtim medial dhe do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pjesën e parë të hulumtimit mund ta ndiqni në këtë LINK.
Pjesën e dytë të hulumtimit mund ta ndiqni në këtë LINK.