Ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, intervistohet nga Policia lidhur me hulumtimin e KALLXO.com

Ka përfunduar procesi i intervistimit të ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti, dhe me urdhër të Prokurorisë i njëjti është lënë të mbrohet në liri.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i Dërgutit, Ramë Gashi.

“Po, ka përfunduar intervistimi në orët e vona të mbrëmjes. Për momentin nuk mund të deklarohem asgjë më tepër për shkak të hetimeve” – tha avokati Gashi.

Ai shtoi se Haxhi Dërguti pas intervistimit është liruar dhe do të mbrohet në liri.

KALLXO.com ka raportuar se ditë më parë është bastisur shtëpia e Dërgutit.

Prokurori Valdet Gashi kishte konfirmuar për KALLXO.com se është kryer bastisja dhe se gjatë bastisjes janë sekuestruar disa prova.

Lidhur me interesimin e KALLXO.com në rast se provat e sekuestruara kanë të bëjnë me skandalin e fundit, të publikuar nga emisioni “Kallxo Përnime”, Gashi kishte deklaruar se nuk mund ta konfirmonte pasi që të njëjtat do të përdoren më pas gjatë procedurës.

KALLXO.com para disa ditëve ka publikuar një hulumtim dyvjeçar që ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Incizimet pasqyrojnë përfshirjen e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti, në një aferë korruptive. Të gjitha incizimet janë bërë në vende publike dhe përbëjnë çështje të interesit të lartë publik.

Dërguti më pas ka pretenduar se incizimet e publikuara nga KALLXO.com janë marrë në mënyrë të paautorizuar.

Ish-kryeprokurori kishte shprehur gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime.

Për dy ditë radhazi janë shfaqur pjesë të hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.

Biznesmeni Sali Dakaj po pretendon se përmes dy personave ia ka dhënë 150 mijë euro ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutit, për të ndikuar që një lëndë gjyqësore për një borxh në vlerë 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.

Për emisionin “Kallxo Përnime”, Dakaj ka rrëfyer se si dy persona, biznesmeni Hasan Morina dhe zyrtari i Vetëvendosjes (tashmë i pezulluar nga anëtarësia e partisë), Liridon Fandaj, e kishin takuar dhe i kishin thënë se e kanë njeriun e tyre që mund ta kthejë lëndën në favorin e tij porse për këtë duhej t’i jepeshin 150 mië euro.

Dakaj ka treguar se u kishte besuar dhe kishte marrë paratë borxh për t’ia dhënë Haxhi Dërgutit, atëherë kryeprokuror i Apelit.

Meqë lënda nuk kishte përfunduar në favor të tij, Dakaj kishte filluar të kërkonte paratë që i kishte dhënë.

Për këtë ai kishte takuar Hasan Morinën dhe Liridon Fandajn, e mandej edhe vetë ish-kryeprokurorin Dërguti.

Ky i fundit, sipas një video-incizimi, e këshillon Dakajn që t’i rrijë gati lëndës në gjyq, të gjejë njerëz e të japë para, përndryshe lënda nuk kryhet në favor të tij.

“Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare, se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet” – kishte porositur Haxhi Dërguti biznesmenin Sali Dakaj.

Në një takim tjetër, të cilin Dakaj po ashtu e ka incizuar me kamerë, Dërguti mohon se ai i ka marrë paratë, por nuk e mohon se është takuar me gjyqtarë në lidhje me lëndën e Sali Dakajt.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka premtuar se Prokuroria do të veprojë pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime”, i cili zbardhi një afërë të madhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Prokuroria Speciale ka paralajmëruar se do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast.

“Menjëherë pas publikimit të këtij emisioni, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka analizuar të gjitha të dhënat e transmetuara në këtë hulumtim medial dhe do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pjesën e parë të hulumtimit mund ta ndiqni në këtë LINK.

Pjesën e dytë të hulumtimit mund ta ndiqni në këtë LINK.